Basha: Do të jem shumë shpejt për vizitë në Uashington

Në intervistën për “Syri.net”, Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka konfirmuar se do të jetë shumë shpejt në një vizitë në Amerikë.

Basha tha se situata kriminale në vend po rrezikon edhe interesat gjeostrategjike të partnerëve tanë.

“Unë kam udhëtuar në SHBA, i ftuar nga Këshilli i Atlantikut, verën e kaluar, jam ftuar në dy aktivitete të tjera, në dhjetor të vitit të kaluar dhe në mars të këtij viti, në të cilat për shkak të agjendës politike, të zhvillimeve me studentët në dhjetor dhe në mars ishim në kulmin e protestave që nisën me 16 shkurt, nuk kam patur mundësinë të isha i pranishëm.

Por do të jem shumë shpejt në një vizitë në Uashington, ku kam dhe kemi një lidhje të fuqishme me vendimmarrësit amerikanë, si në Kongres, në Senat, po kështu edhe në administratë, dhe ku Partinë Demokratike dhe administratën amerikane, në Kongresin Amerikan, në institucionet amerikane, i bashkojnë vlerat, parimet, standardet e demokracisë perëndimore, i bashkon shqetësimi për situatën e thellë kriminale në vend, që tashmë rrezikon edhe interesat gjeostrategjike të partnerëve tonë, dhe sa i takon Partisë Demokratike, na bashkon, edhe vendosmëria për të thelluar bashkëpunimin, në veçanti sa i përket luftës kundër trafiqeve të paligjshme dhe trafikut të drogës, për të bërë të mundur fundin e pandëshkueshmërisë të të gjithëpushtetshmëve, duke filluar me pushtetarët e korruptuar, bosat e krimit të organizuar, dhe këdo tjetër që ka vjedhur dhe grabitur shqiptarët me ndihmën e pushtetit, dhe për t’i dhënë Shqipërisë atë rrugë që Shtetet e Bashkuara e mbështesin 100 %, rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”,- deklaroi Lulzim Basha.