Basha: Askush nuk i ka njohur zgjedhjet

Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se askush nuk i ka njohur zgjedhjet e 30 qershorit dhe se PS-ja ka pushtuar bashkitë në vend. Ai shpjegoi në syri.net se përse amerikanët zgjodhën stabilitetin dhe nuk i kundërshtuan zgjedhjet vendore.

“Askush nuk i ka njohur këto zgjedhje, askush nuk do t’i njohë. Për këto do të shprehet Gjykata Kushtetuese. Bashkitë janë pushtuar. Kjo nuk është çështja. Stabiliteti i Shqipërisë, Ballkanit, Evropës është interes i SHBA-së. Këtu nuk ka asgjë të re. E reja qëndron në faktin që për shkak të zhvillimeve, para gjatë dhe pas 30 qershorit, kemi një realitet të ri politik edhe sa i përket faktorit ndërkombëtar.

Këshilli i Evropës u tërhoq nga monitorimi i zgjedhjeve. Kjo tregon se këtu ka rënë në pikiatë demokracia. Raporti i OPSBE ODIHR, parapraku, raporti i plotë do të jetë edhe më i zi se ai paraprak.

Fakti që dolën 5% tregon se njerëzit kanë qenë kundër këtyre zgjedhjeve.”, tha Basha.

Ai më pas u ndal te vendimi për bojkotimin e zgjedhjeve.

“Kjo betejë nuk është për karrige, ik ti e të vij unë. Ne karriget i dorëzuam. Kjo betejë bëhet për t’i dhënë fund këtij 6 vjeçari, këtij kaluari të tmerrshëm, ka grabitur, plaçkitur Shqipërinë, po për të mbyllur tranzicionin 30 vjeçar. Për t’i dhënë shqiptarëve rregulla loje e për të barazuar Shqipërinë me evropianët. Duhen zgjedhjet ë laro e të ndershme, ndaj dogjëm mandatet. pushteti në duar të një njeri, bashkëpunon me krimin. Në këtë situatë, Shqipërisë nuk i hapet perspektiva evropiane.”, u shpreh kreu i PD-së.