Ambasada amerikane: Kuvendi i Kosovës mori vendim të rëndësishëm

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka konsideruar se vendimi i Kuvendit të Kosovës për të shpërndarë legjislaturën e gjashtë përbën hap të rëndësishëm drejt krijimit të qeverisë së re.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, kjo ambasadë ka thënë se “një fushatë, në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja për bisedime me Serbinë, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, do të siguronin se Kosova nuk humb më shumë kohë në ndërtimin e një baze për të ardhmen”.

Me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e Kuvendit, duke iu hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit, ka ardhur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, meqë kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.