Vuçiç: Vazhdimi i dialogut me Kosovën, jo para dhjetorit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pas takimit me sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ka folur edhe rreth mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë drejtim, sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Vuçiç në New York, pas takimit me Pompeo ka thënë se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në rastin më të mirë mund të rifillonte në fillim të dhjetorit.

Siç ka shtuar më tej Vuçiç, kjo vështirë  mund të pritet para zgjedhjeve në Kosovë, të cilat pritet të mbahen më 6 tetor, megjithëse akoma nuk janë njoftuar.

Presidenti Vuçiç pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në New York, ka thënë se ka kërkuar nga administrata amerikane të ushtrojë ndikim më të fortë te shqiptarët e Kosovës për të hequr taksat e vendosura në nëntorin e vitit të kaluar.

Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik.

Pompeo këto komente i bëri pas një takimi në Nju Jork me presidentin serb.

“Një takim dreke produktiv me presidentin Vuçiç, rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe pranimit të Serbisë në BE. Normalizimi i raporteve me Kosovën, do të forcojë stabilitetin e Serbisë, të Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”, ka shkruar pas takimit sekretari Pompeo në Twitter.