Ne jemi edhe më të çmendur se Mihali

Nga Erjona Rusi –

Ka nja 5 ditë që nuk hap dot rrjetet sociale se më përplaset në fytyrë çmenduria e një njeriu që kacavirret mbi makinë. Çmendurinë e tij deri diku e kuptoj, makutëria dhe fakti që ikën ca qindra euro të spanjollëve nga duart do ta kenë bërë të luajë mendsh. Por nuk kuptoj çmendurinë kolektive që na ka kapur rreth tij. Në fakt mendoj se ne të gjithë jemi më të çmendur se Mihali, madje edhe më budallenj se ai. Por jo vetëm kaq.

Mihalin e njeh tashmë gjithë Shqipëria, ashtu si dhjetra të çmendur të tjerë që shndërrohen në personazhin e ditës, javës apo muajit sipas qejfit apo edhe qëllimeve të caktuara me raste, edhe të mediave.

Por shumë pak prej nesh, gati aspak, i njohim Ergysin dhe Orjanin (Ergys Brahimi dhe Orjan Kodra).

Janë dy djemtë që u vranë në 16 gusht nga rrëzimi i skelës gjatë punimeve për rregullimin e fasadës së një pallati në Tiranë. Nuk ua dimë emrat, e as ua njohim fytyrat. Aq më pak historitë e jetës së tyre, që askush nuk po i shpërndan me po të njëjtën çmenduri si videon e Mihalit. Askush nuk po flet për motrat e dëshpëruara të Ergysit apo tasin e tij me bukë.

Sikur rrëzimi fatal e tragjik i asaj skele të ishte xhiruar me video, nuk e di a do e kishim shpërndarë kaq shumë? Mbase është çmenduri ta mendosh të shpërndash vdekjen, por është edhe më çmenduri ajo që nuk po bëjmë se ajo që po bëjmë.

Ne jemi më të çmendur, e më budallenj, madje jemi edhe bythecë se nuk kemi këllqe të kërkojmë llogari për 2 djem që u vranë. Nuk vdiqën por u vranë, ndërsa fitonin bukën e gojës.

Nuk kemi ag guxim të mblidhemi përpara atij pallati e të fillojmë të bërtasim me të madhe duke menduar si do kish qënë po të ishin djemtë, vëllezërit, kushërinjtë, apo miqtë tanë. Nuk kemi mendere as të mblidhemi para zyrave të 2 kompanive që po kryenin punimet “Xhimi Tarushi” shpk dhe “Syla” shpk.

Ne jemi të çmendur, e bythecë sepse nuk i kërkojmë llogari edhe Bashkisë së Tiranës, që ka edhe ajo përgjegjësinë e vet në kontrollin e këtyre projekteve.

Jemi të çmendur e budallenj edhe që nuk na bën përshtypje se si vrasja e atyre 2 djemve kaloi nga opozita, thjesht me një postim në FB apo Twitter.

Ne jemi të çmendur e bythecë se po i lejojmë ata që na qeverisin të mos mbajnë asnjë përgjegjësi për vdekjen e këtyre djemve, edhe pse duhej të kishte siguri teknike në atë pallat. Ne madje jemi edhe më të çmendur sepse nuk ua kërkojmë me gjithçka mundemi këtë përgjegjësi.

Ne jemi të çmendur edhe që po i lejojmë të heshtin, të heshtin ndaj një krimi, se vrasja e tillë është. Dhe po heshtim edhe ne vetë ndërkohë që në qindra skela të tjera, mijëra punëtorë të tjerë rrezikojnë jetën pa asnjë kusht sigurie. (Një të tillë e keni edhe pas Ministrisë së Transporteve sërish mu në qendër të Tiranës).

Ne jemi të çmendur e bythecë që lejojmë të na vjedhin, mashtrojnë, shkelin me këmbë. Por tashmë jemi edhe më budallenj se po i lejojmë të na marrin edhe jetën, e prap s’pipëtijmë. Çfarë mund të na marrin tjetër?