Korriku i aksidenteve, 13 persona humbën jetën në rrugë

Në sezonin e verës ka shtim të lëvizjes dhe të trafikut por kjo nuk i ndalon shoferët në tejkalimin e normave të shpejtësisë, çka kthehet në burim aksidentesh. Numri i të aksidentuarve në muajin korrik krahasuar me 1 vit më parë ka pësuar rritje, nga 210 në 228 persona të vrarë dhe të plagosur. Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT, sipas të cilëve, po këtë muaj, humbën jetën 13 persona, 5 më pak se të njëjtën periudhë të 2018. Sipas institutit të statistikave, në muajin korrik numërohen 148 aksidente rrugore nga 166 aksidente të ndodhura korrikun e 2018-ës, ndërsa për sa i përket 7 mujorit të parë të këtij viti numërohen 862 aksidente rrugore nga 967 aksidente të ndodhura në shtatë mujorin e parë 2018.

Po ashtu bëhet e ditur se në shtatë mujorin e parë 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 115 persona nga 116 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Statistikat tregojnë se në 90% të rasteve aksidentet ndodhin si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjeteve.

Ekspertët e sigurisë rrugore japin alarmin, pasi edhe pse viktimat nga aksidentet por edhe të gjymtuarit janë si një bilanc lufte, askush nuk mban përgjegjësi dhe asnjë institucion nuk kryen një analizë të thelluar. Sipas ekspertit Gëzim Hoxha, Policia Rrugore nuk është e aftë të kryejë këto studime, ndaj duhet të ngrihet një autoritet përgjegjës për sigurinë në rrugë. Sipas statistikave për 6-mujorin e parë të vitit 2019 ka një rënie të numrit të aksidenteve, por një shtim të personave që kanë humbur jetën. Gjatë periudhës janar-qershor, sipas INSTAT numërohen 714 aksidente, në të cilët kanë humbur jetën 102 persona.

Shpejtësia, garat me makina dhe alkooli kanë çuar në ndalimin e 26 shofereve nga policia e Tiranës gjatë kësaj jave. 8 drejtues mjetesh janë kapur të dehur ndërsa 17 të tjera pa patentë. Gjithsej policia rrugore e kryeqytetit pezulloi 111 leje drejtimi. Përgjatë javës janë gjobitur 1 800 drejtues mjetesh, për qëndrim dhe pushim të mjeteve në kundërshtim me sinjalizimin rrugor. Gjithashtu janë marrë rreth 2 mijë masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor. Një pjesë e shkeljeve sipas policisë janë raportuar nga qytetaret në numrit 112 dhe në aplikacionin Komisariati Dixhital.