Edhe Fero largohet nga ”On Records”

Pas Baby G, Mozzik, Getinjos dhe Kidës, i radhës që largohet nga kompania diskografike “On Records” është Fero. Në një postim në Instagram, Fero sqaron se kontrata midis tyre ka përfunduar dhe ai nuk do të jetë më pjesë e “On Records”. “Jemi ndarë miqësisht me një marrëveshje të re, ku unë do të vazhdoj si një artist i pavarur”,-shkruan ai. “Por ‘On Records’ ka të drejtën të rezervojë data [koncertesh] për mua,” shton më pas.

Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe menaxheri Met Elshani. Fill pas kësaj, të shumtë kanë qenë ndjekësit që kanë reaguar të habitur, nisur nga fakti se në një postim të pak kohëve më parë, tashmë të fshirë, reperi theksonte se ai dhe Elshani do të ishin partnerë përjetë.

Ndjekës të shumtë shprehen se largimi i Feros ka të bëjë me faktin që menaxheri i merrte 70% të fitimit. Ekziston një thashethem urban që Fero dhe të tjerë që menaxhoheshin nga kompania, mbanin vetëm 30% të fitimit të këngëve të nxjerra në treg. Nuk dihet vërtetësia e këtij aludimi, megjithëse kjo nuk i ka penguar njerëzit ta besojnë, qoftë edhe Butën që e përdori në një diss kundër Feros.