Arrestohet drejtuesja e “SPAK” në Maqedoni

Maqedonia e Veriut nuk ka bërë reformë në drejtësi me ndryshime kushtetuese, siç ka bërë Shqipëria, por ka ngritur disa institucione të ngjashme si në Tiranë për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta. Prokuroria Speciale e Maqedonisë ishte një nga institucionet e reja që u mbështet fort nga ndërkombëtarët, si organi që do të pastronte klasën politike në Maqedoni dhe do të luftonte fortë krimin. Të gjithë ambasadorët e huaj kanë dalë në krah të prokurorëve speciale dhe i kanë mbështetur në çdo nismë. Për nga mënyra si u promovua dhe funksionin që ka Prokuroria Speciale në Maqedoni, të kujton reklamimin që i bëhet SPAKU-t në Shqipëri.
Por këto javë në Maqedoni ka ndodhur një nga ato ngjarje që rrëzon gjithë projektin dhe vë në dyshim mënyrën sesi funksionojnë institucione të tilla.

Kryeprokurorja Speciale, Katica Janeva u cilësua si “gruaja e hekurt” e Prokurorisë që do të ndëshkonte krimin dhe politikanët e lartë. Në nisje të punës së saj para disa viteve ajo hapi hetime për një sërë zyrtarësh duke nisur nga ish-kryeministri, ish-ministra dhe drejtues të disa agjencive ligjzbetuese.

Por sot kjo prokurore që ishte garancia për luftën ndaj krimit është vënë vetë nën akuzë për shkelje të rënda ligjore. Forca të shumta policore, ditën e sotme, kanë arrestuar Prokuroren Speciale. “Para pak çastesh forcat e policisë së Maqedonisë, janë futur në shtëpinë e Prokurores Speciale Katica Janeva në lagjen Kozle të Shkupit”, transmeton media shqiptare në Shkup, “Zhurnal”.

Janeva është përfshirë në një aferë të rëndë korrupsioni. Përgjimet dhe dokumentet tregojnë se njeriu i ndërkombëtarëve që do vendoste drejtësinë është bërë pjesë e aferave me biznesmenë, botues mediatik dhe njerëz afër qeverisë, nga të cilat ka përfituar miliona euro.

Skandali i kryeprokurores speciale u publikua në mediat italiane. Disa përgjime tregojnë biseda të Janevës me biznesmenë që kanë pasur probleme ligjore dhe ajo u jep garanci për të mos pasur shqetësime nga hetimet.

Katica Janeva, në postin e prokurores speciale u emërua më 15 shtator 2015, me mbështetje edhe të opozitës. Qëllim kryesor të punës së saj ajo kishte hetimin e aferës së përgjimeve, që ishte publikuar në shkurt të 2015-ës nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër.

VIDEO/Momenti i arrestimit të kryeprokurores speciale