Analisti kroat: Reforma në drejtësi zgjat me dekada

Robin-Ivan Capar, një analist kroat, i tha Politiko.al në një intervistë se reforma në drejtësi në Kroaci, e filluar që në vitin 2003, ende nuk është implementuar, edhe pse kanë kaluar 16 vjet. Ai pranon se kjo reformë ka luajtur një rol të rëndësishëm në antarësimin e Kroacisë në BE. Capar shton se lufta ndaj korrupsionit është qëllimi kryesor i saj, por thotë se ka qenë media që i ka zbuluar shumë prej rasteve korruptive në Kroaci.

Robin-Ivan Capar është ekspert i medias, komentator i bazuar në Kroaci dhe Norvegji. Ai është shefi i zyrës së Zagrebit për Spitzberg Partners LLC dhe drejtor i Time Out Croatia, media kryesore në anglisht në Kroaci.
Ai është kërkues i European Council on Foreign Relations, ku mbulon politikën e jashtme të Kroacisë.

Intervistoi: Liridon Cecja 

Politiko: Z. Capar, që nga viti 2016, Shqipëria  ka filluar të implementojë një reformë në drejtësi të ngjashme dhe të ndikuar nga rasti i Kroacisë. Ne jemi kureshtarë të njohim disa detaje në lidhje me të; sa vjet zgjati? Cilat ishin rolet e BE-së dhe SHBA? A e kundërshtuan qeveria apo opozita dhe gjëra të tilla?

Në fund të viteve ‘90, sistemi i drejtësisë kroate ishte i infektuar nga problemet e pritshme të tranzicionit – mungesa e personelit, efikasiteti i ulët si dhe pavarësia dhe transparenca e dyshimtë. Kur e nisi reformën e sistemit të drejtësisë në fillim të viteve 2000, Kroacia u përball me këto, si dhe probleme të tjera strukturore, duke përfshirë rrjetin e ndërlikuar dhe të fryrë të gjykatave, kohëzgjatjen e lëshimit të verdikteve, zbatimin problematik të vendimeve, numrin në rritje të çështjeve në pritje, mungesën e pajisjeve teknike, dhe edukimin, përzgjedhjen, emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve. Procesi zyrtar i reformës strukturore nisi në 2002-2003 dhe ka vazhduar përmes cikleve të shumta deri më sot – disa nga përpjekjet e racionalizimit kroat pritet të përfundojnë deri në dhjetor 2019.

Përpjekjet e reformës ishin – dhe mbeten edhe sot e kësaj dite – të lidhura ngushtë me sasinë e vullnetit të brendshëm politik të lidhura me to. Deri në pranimin e Kroacisë në BE në 2013, vullneti politik për të reformuar sistemin e drejtësisë së vendit ishte i lartë pasi ekzistonte një konsensus midis palëve në fuqi dhe opozitës për rëndësinë e integrimit euro-atlantik të Kroacisë. Për shkak të këtij orientimi të njëanshëm pro-europian, roli dhe rëndësia e Bashkimit Europian në katalizimin e reformës në drejtësi në vend ishte gjithashtu relativisht e lartë.

Politiko: Ekziston perceptimi se Kroacia u bë anëtare e BE-së vetëm për shkak të Reformës në Drejtësi. A është e vërtetë? Dhe a mundet BE të praktikojë të njëjtën strategji me Shqipërinë?

Nuk do të ishte e gabuar të pretendosh se kapitulli i bisedimeve mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore ishte i rëndësishëm për Kroacinë. Reforma e sistemit të drejtësisë do të ketë gjithashtu një rëndësi të konsiderueshme për Shqipërinë ndërsa bisedimet e saj ecin përpara, pasi Bashkimi Europian vendos theks të jashtëzakonshëm në efikasitetin, pavarësinë dhe transparencën e gjyqësorit.

Kjo shkon paralelisht me përpjekjet antikorrupsion – një çështje për të cilën Kroacia gjithashtu ka luftuar për ta trajtuar para dhe pas pranimit. Sipas mendimit tim, rruga përpara për Shqipërinë në këtë drejtim është përmes ngritjes dhe solidarizimit të institucioneve që ngarkohen me ndalimin, parandalimin dhe trajtimin e korrupsionit në të gjitha nivelet e shtetit dhe shoqërisë. Kjo gjithashtu mund të jetë e dobishme edhe për uljen e një rezistence ndaj zgjerimit të BE-së në Ballkan që kemi parë kohët e fundit.

Politiko: Përveç ish-kryeministrit, Ivo Sanader, cilët janë disa politikanë të rëndësishëm (ne themi ‘peshq të mëdhenj’) të dënuar si rezultat i Reformës në Drejtësi?

Si çështje më vete, korrupsioni mbetet një problem serioz për shtetin më të ri anëtar të Bashkimit Europian. Gjatë dy dekadave të fundit, suksesi (i kufizuar) i Kroacisë në këtë fushë ka qenë i lidhur pothuajse ekskluzivisht me:

1) përpjekjet e vazhdueshme hetimore dhe raportuese të mediave të pavarura në vend dhe; 2) sasinë pragmatike të vullnetit politik pas përpjekjeve anti- korrupsion.

Është e rëndësishme të theksohet se shumica e skandaleve të korrupsionit në dekadën e fundit u nxitën nga gazetaria hetuese nga media, si Index.hr.
Duke ditur këtë, ka ende hapësirë të konsiderueshme për të forcuar parandalimin, zbulimin dhe hetimin në fushën e korrupsionit, veçanërisht kur bëhet fjalë për korrupsion të nivelit të lartë.

Politiko: Cilat janë disa nga problemet me të cilat përballet aktualisht sistemi i ri i drejtësisë së Kroacisë? A i ka përmbushur pritshmëritë?

Sipas mendimit tim, disa nga sfidat më të mëdha brenda procesit të reformës në sistemin e drejtësisë janë të lidhura me mungesën e fondeve për financimin e masave të planifikuara të reformës.

Për shkak të kufizimeve buxhetore, dinamika e procesit të reformës në drejtësi dhe racionalizimit ka ngecur – disa pjesë të reformës janë ende në ekzekutim edhe sot e kësaj dite. Problemet e vonesave në dhënien e aktgjykimeve (verdiketeve) dhe zbatimit problematik të vendimeve ende nuk janë adresuar në mënyrë adekuate.

Politiko: Duke iu referuar çështjes ‘Kroacia’ dhe zhvillimeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, a mund të arrijmë në përfundimin se BE nuk e kupton situatën në rajon dhe qëndrimet e tyre janë shpesh tendencioze?

A5: Nuk do të thoja që BE nuk ka një kuptim të thellë të marrëdhënieve dhe politikave rajonale. Sidoqoftë, sfidat me të cilat përballen disa vende të EJL/CEE dhe Ballkanit Perëndimor – veçanërisht kur bëhet fjalë për shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin – nuk janë çështje që mund të zgjidhen brenda natës apo edhe në planin afatmesëm. Në disa raste, këto janë sfida që nuk mund të adresohen plotësisht, madje edhe në proceset dhe negociatat disa vjeçare të reformave.

Duhet një planifikim afatgjatë dhe angazhim për reformën në mënyrë që të ndodhin ndryshime reale. Nuk ka një transformim deus ex machina  në të gjithë vendin që ndodh në Ditën e 1 pasi një vend të anëtarësohet në Bashkimin Evropian – ndryshimi duhet të vijë nga brenda, i nxitur nga vullneti politik i brendshëm. Një shtytje e mëtejshme në fushat e antikorrupsionit dhe ruajtjes së sundimit të ligjit si nga Shqipëria ashtu edhe nga Maqedonia e Veriut, si dhe reforma zgjedhore në Shqipëri, gjithashtu mund të shkrijë disa nga qëndrimet e ftohta të një pjese të Europës Perëndimore për zgjerimin e mëtejshëm europian në Ballkan – veçanërisht në kohën kur Bashkimi Europian vetë po përballet me sfida të brendshme që lidhen me sundimin e ligjit (p.sh. Polonia dhe Hungaria).

BE gjithashtu duhet të jetë e kujdesshme në ruajtjen e legjitimitetit dhe besueshmërisë së saj në procesin e zgjerimit – pozicionet e fundit që vijnë nga Holanda, Danimarka dhe Franca, të cilat shkojnë kundër miratimit të KE për fillimin e negociatave – mund të dërgojnë një sinjal negativ për shtetet aspirante për anëtarësi në Ballkan. Gjërat do të bëhen më të qarta në tetor.