Trajneri i Vllaznisë: Nuk premtoj se do fitojmë kampionatin, por do të luajmë mirë

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz është gati për sezonin e ri, edhe pse e pranon se nuk do të jetë e thjeshtë për të bërë mirë që në sezonin e parë pas rikthimit në Superiore, ndërkohë që tregohet i kujdesshëm kur vjen puna për premtime.

 

“Njerëzit dhe qyteti janë shumë miqësor. Jetoj në qendër dhe jam këtu prej vetëm 10 ditësh duke qenë se ishim me fazë përgatitore. Është një eksperiencë e re dhe shumë e mirë. Vllaznia është një skuadër e madhe që ka fituar tituj dhe ka qenë në Europë. Do të ndërtoj një skuadër të re me një sistem të ri loje. I vetmi problem është që më duhet më shumë kohë për të punuar në aspektin taktik.

Është kampionat shumë i fortë me lojtarë të mirë, shumë ekipe luajnë në kundërsulm si Laçi. Më pëlqen të luaj futboll të hapur, për të kënaqur tifozët. Luaj për të shënuar sa më shumë gola. Për këtë mënyrë loje më nevojiten këta lojtarë që do të vijnë. Besoj që në këto 3 ndeshje do të marrim pikë. I kam ndjekur lojtarët dhe mendoj se me  prurjet e reja jemi më të fortë. Presim lojtarë brazilianë si dhe një afrikan. Ramadani ka nisur të punojë me ekipin. Pas tri ndeshjeve të para do të kemi 15 ditë pushim dhe mendoj se në atë kohë do të kemi një skuadër shumë të mirë.

Normalisht që ka probleme kur vjen nga faza përgatitore, pasi lojtarët janë të ngarkuar. Nuk premtoj që do të fitoj kampionatin apo do të shkoj në Europë, por do të punojmë që të luajmë sa më mirë në ndeshjen e parë dhe të marrim pikë. Ne po punojmë që të ndërtojmë një skuadër për të gjithë sezonin dhe vetëm në fund do të shohim se çfarë ekipi kemi. Për mua e rëndësishme është që të kemi mbështetjen e tifozëve. Pas 6 muajve mund të flasim për punën time, tani po punojmë për të bërë një nisje të mirë dhe të ndërtojmë një skuadër të mirë”, deklaroi trajneri i kuqebluve pwr Supersport.