Tiranë, punime dhe trafik

Tirana është në sezon punimesh. Këtë e mëson që në hyrje të kryeqytetit, ku në një tabelë elektronike janë afishuar emrat e rrugëve të cilat janë në proces rehabilitimi. Nisja e implementimit të projekt-rehabilitimit të bulevardit ”Zogu i I” ka bllokuar njërin kah të korsisë, duke ngushtuar korsinë tjetër, që është kthyer tashmë në dykalimshe.

Punimet në stinën e verës nisin pasi një pjesë e mirë e banorëve janë me pushime, por ata që janë këtu thonë se bezdisen, ndërsa ka të tjerë që e mirëkuptojnë. ”Punimet këtë kanë, zhurmë, pluhur”, u shpreh dikush. ”Tirana do rregullohet, po çdo gjë ka kohën e vet. Jo në pikë të sezonit turistik, kur ka më shumë lëvizje”, tha një tjetër.

Punimet që kryhen në rrugën e Elbasanit kanë devijuar lëvizjen e automjeteve drejt rrugës së Liceut. Kjo ka sjellë trafik të rënduar si dhe irritimin e shoferëve: ”Boh ç’të bëjmë, kudo ka trafik. Në të gjitha rrugët. Kam 10 minura këtu në kryqëzim”. Në një pjesë të Tiranës ka punime nga ujësjellësi, që hapin rrugët disa herë për riparime kanalizimesh dhe segmente të caktuara. Drejtoria e ujësjellësve ka nisur në këto ditë të nxehta vere rikonstruksionin e tubacioneve të vjetra. Ndonëse të shumtë janë kryeqytetasit që u janë drejtuar plazheve, në Tiranë nuk mungon sërish trafiku i rënduar.