Shkodra dje u dhunua, por akoma nuk është dorëzuar!

Kryeministri e ka ndarë mendjen për t’i poshtëruar shkodranët, duke përdorur policinë dhe shantazhin. Rilindja do nxjerrë nga zyra me forcë Voltana Ademin gjatë ditëve të ardhshme.

Në bastionin e së djathtës shqiptare dhe në qytetin që njihet për revoltat ndaj regjimit komunist, kryeministri ka vendosur të konsumojë të gjitha shkeljet më të rënda ligjore. Nuk mjaftoi vetëm dhuna ndaj protestuesve dhe grabitja e Këshillit Bashkiak, por pas ceremonisë së shëmtuar policia nisi arrestimet e qytetarëve. Kryetari i Forumit Rinor të PD në këtë qytet, si dhe protestues që dolën dje në rrugë, u shoqëruan në polici dhe, sipas denoncimeve të zyrtarëve të PD, ndaj tyre është ushtruar dhunë.

Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarët e Partisë Socialiste zbatuan dje në Shkodër një skenar  poshtërues dhe antiligjor për shtetin shqiptar. Me metoda policeske dhe dhunë të forcave special, Rilindja kreu grabitjen e pushtetit vendor të Këshillit Bashkiak duke mos respektuar as formalisht ligjet. Qyteti kryesor i Veriut u gdhi dje mes mijëra forcave speciale dhe policisë që ishin përgatitur për reprezalje ndaj qytetarëve që nuk njohin votimet moniste të 30 qershorit. Po me polici u thirrën anëtarët e këshillit që kanë dalë nga farsa e 30 qershorit dhe u mbyllën në bibliotekën historike të këtij qyteti. Brenda ambienteve të bibliotekës, të urdhëruar me SMS dhe telefonata nga kryeministri dhe zyrtarë të qeverisë, këshilltarët e votimeve moniste bën betimin dhe zgjodhën kryetaren dhe dy nënkryetarë. Jashtë sallës së mbledhjes, mijëra qytetarë protestonin kundër kësaj maskarade dhe përplaseshin me policinë. Shfaqja e Shkodrës u cilësua e turpshme dhe nga një pjesë e këshilltarëve të PS. Por forcat e policisë që praktikisht i kishin ngujuar në bibliotekë anëtarët e këshillit, si dhe kërcënimet e zyrtarëve të qeverisë me telefona bënë që shkelja antiligjore të konsumohej deri në fund.

Këshilli Bashkiak është “Parlamenti” i një qyteti. Dje kryeministri Edi Rama mori me dhunë “parlamentin” e Shkodrës duke e nxjerrë këtë institucion jashtë shinave ligjore dhe kushtetuese, njëlloj si parlamenti real në Tiranë. Nga dje, Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka 51 anëtarë të gjithë të majtë, të PS dhe PSD, dhe asnjë përfaqësues të opozitës apo qoftë edhe të pavarur. Sipas planit të PS, këta këshilltarë do të zgjedhin në një mbledhje të ardhshme edhe kryetarin e ri të Bashkisë së Shkodrës.

Edhe gjatë viteve të diktaturës institucionet e Shkodrës duhet të kenë qenë më përfaqësuese sesa sot në kohën e Rilindjes. Edhe Enver Hoxha ishte i kujdesshëm, të paktën formalisht, se e dinte se Shkodra të rrëzon nga pushteti. Çdo akt që PS ka ndërmarrë pas 30 qershorit me bashkitë në gjithë vendin është i paligjshëm dhe atentat ndaj Kushtetutës, por në Shkodër krimi politik i Rilindjes është disa herë më i madh. Përveç se votimet e 30 qershorit ishin model komunist në gjithë bashkitë, në Shkodër u faktua se ai që fitoi zgjedhjet farsë kishte probleme me ligjin e dekriminalizimit. Denoncimet e PD bënë që Valdrin Pjetri të jepte dorëheqjen duke mos bërë betimin si kryetar. Largimi i Pjetrit ishte një mundësi për t’i dhënë fund çmendurisë së Rilindjes. Për opozitën, më 30 qershor nuk kishte zgjedhje dhe me ikjen e Pjetrit nuk ka më fitues dhe zgjedhje as për Partinë Socialiste. Më shumë se në çdo qytetet tjetër edhe vet socialistët e bojkotuan farsën e 30 qershorit dhe kryeministri Rama as moralisht dhe as ligjërisht nuk ka për çfarë të mburret në këtë qytet. Të gjitha zhvillimet në Shkodër shkojnë kundër PS dhe Rilindjes në këto muaj krizë dhe konflikti, kryeministri kishte një rast për të treguar se edhe oreksi për pushtet ka një limit. Por në kulmin e krizës dhe kur nuk ka mbetur më asnjë institucion pa u marrë nga Rilindja, Edi Rama vendosi të provokojë edhe më tej. Pa asnjë bazë ligjore urdhëroi mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe rrethoi dje më polici Shkodrën. Në bastionin e djathtë dhe në qytetin që njihet për revoltat ndaj regjimit komunist, kryeministri ka vendosur të konsumojë të gjithë shkeljet më të rënda.

Nuk mjaftoi vetëm dhuna ndaj protestuesve dhe grabitja e Këshillit Bashkiak, por pas ceremonisë së shëmtuar policia nisi arrestimet e qytetarëve. Kryetari i Forumit Rinor të PD në këtë qytet, si protestues që dolën dje në rrugë u shoqëruan në polici dhe sipas denoncimeve të zyrtarëve të PD ndaj tyre është ushtruar dhunë. Sipas përfaqësuesve të PS-së shoqërimet e bënë për shkelje të ligjit nga protestuesit. Argumente të tilla e bëjnë dhe me flagrante situatën, pasi nëse ka zyrtarë që po shkelin ligjin ata janë drejtuesit e Partisë Socialiste në këtë qytet që dje grabitën Këshillin Bashkiak. Për të gjitha këto shkelje kryeministri Edi Rama, në mos ka dhënë urdhër personalisht është në dijeni dhe në të dyja rastet ka përgjegjësi ligjore dhe morale për atë që po ndodh. Grabitja e këshillit, dhunimi i qytetarëve dhe më pas tallja e PS-së më Shkodrën tregojnë se më shumë se pushtetin kryeministri po kërkon ta poshtërojë Shkodrën.

Qamil Xhani