Kush do ta fitojë shekullin e 21-të?

Nga Joshka Fisher –

Kaluam një rrugë të gjatë që nga fillimi i shekullit të ri, kohë në të cilën njerëzit gjithandej, por në mënyrë të veçantë në Europë, pranuan me rezervë „fundin e historisë“. Sipas këtij supozimi të rremë, me fitoren e Perëndimit në Luftën e Ftohtë, e fundit ndër tri luftërat e shekullit të 20-të, u vendos rendi global për të cilin nuk ekzistonte alternativë. Që atëherë mendohej se historia botërore do të marshonte pa ndërprerje drejt „universalizimit“ të demokracisë në stilin perëndimor dhe ekonominë e tregut. Mendohej se shekulli i ri do të ishte thjesht një vazhdim i atij paraardhës në të cilin Perëndimi triumfues vetëm sa do të zgjeronte dominimin e tij.

Bota tani është më e mençur. Po bëhet e qartë se rrjeti i aleancave dhe institucioneve që mbështeste dominimin e Perëndimit si prodhim i shekullit të 20-të dhe e ardhmja e tyre është në pikëpyetje. Rendi botëror po kalon nëpër një ndryshim themelor, sepse qendra e tij e rëndesës po zhvendoset nga Atlantiku i Veriut drejt Oqeanit Paqësor dhe Azisë Lindore. Kina, në kuptimin ekonomik, teknologjik dhe politik është shumë afër të qenit fuqi botërore dhe sfiduesja e vetme e hegjemonit aktual- Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë SHBA-të po bëhen gjithnjë e më të lodhura në rolin e liderit global. Ia filluan të tërhiqen gjatë kohës së mandatit të Presidentit Barak Obama, por nën udhëheqjen e Donald Trampit po e përshpejtojnë tërheqjen në një mënyrë kaotike dhe të rrezikshme. Dorëheqja e Amerikës nga pozicioni prej lideri përbën rrezik për thelbin e Perëndimit Transatlantik, i cili bazohet në themelet e vlerave dhe institucioneve politike të përbashkëta. Në mungesë të një alternative çfarëdo të arsyeshme kjo strukturë po shkatërrohet.

Rusia ndërkohë po përballet me një të ardhme duke iu drejtuar së kaluarës së saj nga shekulli i 19-të. Si puna e Bashkimit Sovjetik, ajo mbështetet tërësisht te armët bërthamore. Por, fuqinë në shekullin e 21-të nuk do ta përcaktojë arsenali bërthamor, por një spektër i gjërë i kapaciteteve teknologjike të bazuara në digjitalizim. Ata që nuk janë udhëheqës kur bëhet fjalë për inteligjencën artificiale dhe bazën e të dhënave në mënyrë të padiskutueshme do të bëhen të varur nga fuqitë e tjera, të cilat në fund të fundit do t’i kontrollojnë plotësisht. Sovraniteti në fushën e teknologjisë dhe të të dhënave dhe jo numri i mbushjeve bërthamore do ta kontrollojë shpërndarjen globale dhe pasuritë në këtë shekull. Ndërsa në shoqëritë e hapura po këta faktorë do të përcaktojnë të ardhmen e demokracisë. Kur bëhet fjalë për Europën, Kontinenti i Vjetër ka hyrë në shekullin e ri gjithsesi në formën e tij jo optimale. I lëkundur në iluzionin e rehatshëm pas historik mbi paqen e përjetshme, Bashkimi Europian nuk arriti të përmbyllë projektin e integrimit (për hir të së vërtetës duhet pranuar se ia arriti të zgjerohet në Lindje), e kësisoj tërheqja e garancisë amerikane të sigurisë nën udhëheqjen e Trampit ishte për Europën si një rrufe në qiell të pastër.

Mënyra sesi Europa do të drejtojë inteligjencën artificiale, bazën e të dhënave dhe teknologjitë ndjekëse të tyre do të përcaktojë konkurencën e përgjithshme në shekullin e 21-të. Por europianët duhet të vendosin se kush do të zotërojë të dhënat e nevojshme për të realizuar sovranitetin digjital dhe cilat kushte duhet të diktojnë mbledhjen e përdorimin e tyre. Këto çështje do të përcaktojnë fatin e demokracisë në Europë dhe faktin nëse e ardhmja e Kontinentit të Vjetër do të jetë një e ardhme begatie apo rënie. Mbi këtë duhet vendosur në nivel europian, dhe jo në nivelin e shteteve antare. Po ashtu është me po aq rëndësi që të gjendet një përgjigje pa vonesë për këto probleme. Duhet që Europa ta drejtojë topin digjital ose të shtypet prej tij. Në vitet e ardhshme, dizajni dhe prodhimi i automobilëve, inxhinieringu mekanik, mjeksia, mbrojtja, energjetika dhe prona private në një masë të madhe do të varen nga teknologjitë digjitale. Të dhënat që do të dalin nga këta sektorë do të procedohen kryesisht nëpërmjet „kllauds“ (Biznes & IT), gjë që do të thotë se kontrolli i „kllauds“ do të jetë një faktor me rëndësi vitale për rritje ekonomike afatgjatë dhe suksesin e shteteve.

Në mëntrë që Europa ta ruaje sovranitetin e saj digjital, do të jetë e nevojshme që të investojë masivisht në kapacitete e „kompjuterve në ré“ (Cloud Computing) dhe burime të tjera fizike që mbeshtesin revolucionin digjital. Në këtë drejtim Europa është tejet e ngadalshme dhe e pavendosur. Sfida e saj tani është që të arrijë SHBA-të dhe Kinën në mënyrë që të mos jetë vazhdimisht e prapambetur. Europa nuk duhet të ushqejë kurrfarë iluzionesh se sektori privat do të përkujdeset për gjithçka. Mangësia e Europës kur vjen puna te konkurenca kërkon ndryshim thelbësor të strategjisë në nivelin më të lartë. Institucionet e BE-së duhet të nxitin marrjen e vendimeve përkatëse dhe, së bashku me shtetet antare, të sigurojnë burimet e domosdoshme. Por sigurimi i sovranitetit digjital të Europës do të kërkojë përpjekje shumë më të gjëra, duke përfshirë kompanitë, kërkuesit dhe politikanët.

Pas përkujtimit para pak kohësh të 50-vjetorit të uljes në Hënë, në media po polemizohet mjaft mbi fluturimin potencial të njeriut në planetin Mars. Por gjithsesi, Europa duhet të presë kur bëhet fjalë për udhëtimet në Gjithësi. Prioriteti kryesor i saj duhet të jetë vendosja dhe ruajtja e sovranitetit digjital dhe të bërit gjithçka është e domosdoshme që të pengohet rënia e Kontinentit të Vjetër dhe mbrojtja e demokracisë.

Në të mirë dhe në të keq, shekulli i 21-të është në kulmin e tij.

*Marrë nga Project Syndicate. Përkhteu për Politiko.al: Xhelal Fejza