Konsultimi publik për “Fiskalizimin”, zhvillohet takimi me kontabilistët

Ministria e Financës dhe Ekonomisë nisi sot takimet e drejtpërdrejta me palët e interesit për konsultimin e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”. Zv/ministri i Financës dhe Ekonomisë, Elton Haxhi, gjatë takimit ku morën pjesë përfaqësues të shoqatave të kontabilistëve, bëri një prezantim të përgjithshëm të ndryshimeve që do të sjellë ky projektligj, me qëllim modernizimin e sistemit fiskal.

Gjatë fjalës së tij, Haxhi u shpreh se projektligji do të sjellë një ndryshim edhe në komunikimin e pajisjeve fiskale, kryesisht për transaksionet me para në dorë, duke e kthyer nga një komunikim ditor në fund të ditës, në një komunikim në kohë reale, si dhe vlefshmëri të çdo transaksioni me para në dorë në kohë reale, me futjen e elementëve të tillë, siç është firma dixhitale për identifikimin e personit të tatueshëm.

Projekti parashikon që përveç faturimit të ndërtojë edhe një modul kontrolli për Administratën Tatimore. Sistemi i ri do të ofrojë edhe një regjistër të aktiveve të qëndrueshme, të cilët janë si rezultat i faturimeve, transaksione midis tatimpaguesve dhe njëkohësisht do të bëhet dhe marrja e informacionit nga bankat në lidhje me shlyerjen e transaksioneve pa para në dorë.

Gjithashtu, në fazën e fundit parashikohet ndërtimi i një regjistri për tatimpaguesit në lidhje me aktivet kryesore, pra përveç transaksionit të mallrave apo shërbimeve kemi dhe transaksione që kanë lidhje me aktivet e qëndrueshme. Përfaqësuesit e shoqatave të kontabilistëve u shprehën se kanë nisur tashmë punën për njohjen me projektligjin për të dalë me pas me propozime konkrete. Kontabilistët vlerësuan këtë nismë të qeverisë, e cila pritet të modernizojë sistemin fiskal shqiptar. Takimi i radhës konsultues do të mbahet në datë 22 gusht me përfaqësues të sipërmarrjeve që operojnë në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit.