5.21% e lindjeve nga vajza nën 20-vjeç, shkak mentaliteti

Nënat adoleshente zënë 5.2% të lindjeve në vendin tonë, për qindje ndër më të lartat në BE. Për psikologët ky fenomen lidhet me mungesën e informacionit për çështjet seksuale si dhe me mentalitetin partiarkal.

“Ne nuk e kemi traditë si popull për të komunikuar për format e sëmundjeve seksuale, lindjet e parakohshme, lindjet e vona. Nëna ka lindur herët dhe duhet të lindë dhe vajza sepse nuk më erdhi asnjë dëm, sepse fëmija ka kismetin e vet. Por këto nuk janë elementë që ecin në gjuhën demokratike”. Ekspertët shprehen se lindjet në moshë të hershme sjellin pasoja në formimin psikologjik të fëmijës.

“Procesi i lindjes është një proces i cili nuk lidhet vetëm me shtimin e popullsisë, ne nuk jemi vend në luftë, nuk jemi në kohën kur nëna dhe fëmija duhet të rriten bashkë, jemi në kohën kur nëna duhet të rrisë fëmijën sepse fëmija tanimë është një produkt social. Nëse një nënë nuk është e formuar dhe emancipuar në nivelin e duhur nuk mund të kontribuojë dhe të rrisë një fëmijë të shëndetshëm. Nuk themi fëmijë të shëndetshëm fizikisht. Ne na intereson një fëmijë që është i gatshëm të jetojë dhe bashkëjetojë me bashkëmoshatarët e vet njësoj”.