U sulmua nga Kokëdhima, bosi spanjoll me 310 mln euro pasuri

Familja spanjolle Galdón u sulmua nga pronari i restorantit ”Panorma” në Porto Palermo, Mihal Kokëdhima, pasi refuzuan që të merrnin porosinë që iu vonua shumë. Eugenio Galdón Brugarolas, është një ndër biznesmenët më të rëndësishëm në Spanjë. Ai është themelues i ONO (kompani që ofron shërbimin telefonik, televiziv dhe internet) dhe ka qenë president i saj deri në nëntor të vitit 2018.

Galdón ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën shtetërore, konkretisht si shef i kabinetit Presidencial në kohën e Adolfo Suárez. Nga viti 1983 deri në 1997, Galdón drejtoi disa nga grupet më të mëdha mediatike në Spanjë si “Cadena Ser”, “Grupo Prisa”, “Cadena COPE”.

Që nga viti 1992, ai është president dhe aksionar kryesor i “Multitel”, një grup biznesi që themeloi për të investuar në projekte që lidhen me median dhe telekomunikacionin në Spanjë duke qenë se ONO, i është shitur në mars të viti 2014 “Vodafone” për 7.2 miliardë euro. Nga Marsi 2014, është gjithashtu president i Fondacionit “Everis” për botën e biznesit dhe anëtar i Bordit Këshillimor të kompanisë. Galdón është pjesë e 200 njerëzve më të pasur në Spanjë me një pasuri e cila shkon rreth 300 mln euro. Eugenio Galdón ndodhet në vendin e 139.

Galdón së bashku me familjen e tij kishte zgjedhur Shqipërinë për të pushuar por u përballë me një situatë aspak të zakontë, gati-gati si një skenar filmash “hollivudian” që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend. /Report Tv/