Siguria, Policia e Lezhës 496 masa administrative

Policia e Lezhës në kuadër të goditjes së paligjshmërisë dhe garantimin e të sigurisë rrugore ka vendosur 496 masa administrative, si dhe ka proceduar penalisht 27 shtetas. Policia e Lezhës gjatë kësaj jave që lam pas, ka proceduar penalisht në total 27 shtetas për vepra të ndryshme penale, nga këta 4 arrestuar, 20 proçeduar në gjëndje të lirë, 2 ndaluar dhe 1 në kërkim . “Është ndaluar 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar për të cilin Gjykata e Romës / Itali ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest me burg” për veprën penale ” Shkelja e ligjit mbi armët e zjarrit”.Maksimumi i dënimit 10 vite. Është ndaluar edhe 1 shtetas në kërkim me masë sigurie ” Arrest me burg” për veprat penale ” Armëmbajtje pa leje” dhe ” Kanosje”. Janë arrestuar 3 shtetas për veprat penale ” Dhunë në familje”, shprehet policia.

Po ashtu, Policia e Lezhës ka plotësuar 3 kërkesë – padi për Urdhër Mbrojtjeje të Menjëhershëm për rastet e dhunës në familje, bazuar në Ligjin nr.9669 datë 18.12.2006 ” Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Po gjatë kësaj jave, Policia rrugore ka qenë në shërbim gatishmërie 24 orë për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë ku janë vendosur 496 masa administrative për shkelje të ndryshme si ” Drejtim mjeti nën efektin e alkoolit” “Përdorim telefoni gjatë drejtimit të mjetit” “Mos vendosje rrip sigurimi” ” Ndalim qëndrimi” etj.

Një rëndësi të veçantë, Policisë Rrugore i ka kushtuar menaxhimi i trafikut në zonat turistike, sidomos në fundjavë. Në vijim të Planit të Veçantë të Masave ” Plazh i lirë”, janë liruar 2800 m2 hapësirë publike, janë sekuestruar 271 çadra e 542 shezlon, si dhe janë proceduar 7 përfaqësues ligjorë subjektesh e ish- Drejtor pranë Bashkisë Lezhë. Gjithashtu, Policia e Lezhës fton të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin falas 112 , me besim që policia do të reagojë në çdo kohë me profesionalizëm.