Shkodër, ndryshon vendi i konstituimit të Këshillit Bashkiak

Sot do të konstituohet Këshilli Bashkiak të Shkodrës, i cili do të organizohet jo në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi”, siç ishte parashikuar por tek biblioteka e Universitetit të Shkodrës, në një godinë tjetër. Shkak për këtë ndryshim është bërë protesta e paralajmëruar nga dega e Partisë Demokratike në Shkodër.

Dega e Shkodrës e ka konsideruar si provokim nga ana e kryeministrit Edi Rama, konstituimin e Këshillit Bashkiak në ambientet e universitetit, ku theksojnë se nuk do të lejojnë që aty ku 30 vite më parë u mblodhën të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist, të vendoset një tjetër regjim.

“Ne nuk duhet asesi të pranojmë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Aty ku krejt pranë, 30 vite më parë jemi mbledhur të gjithë pa asnjë ndasi politike,të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist. Pikërisht vendin që me 2 Prill, 4 dëshmorët e Demokracisë e lanë me gjakun e tyre e ku qindra të tjerë u plagosën. Rilindasit zgjodhën ish komitetin e partisë për të konstituar këshillin ilegjitim vetëm për të provokuar qytetarët e Shkodrës. Ne nuk mund të pranojmë të jemi dëshmitarë të vendosjes së një tjetër regjimi. I bëjmë thirrje Edi Ramës të mos luajë me zjarrin,të mos luajë me Shkodrën! Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për Zot vetes. Prandaj i ftojmë të gjithë të bashkohen me ne,për dinjitetin e qytetit tonë,për dinjitetin e Shkodrës”, shkruan dega Shkodër.