Kryeministri merr me dhunë policore drejtimin e këshillit në Shkodër

Kryeministri Rama filloi ofensivën rilindase për marrjen e bastionit demokrat, Shkodrën.

Mes tensioneve dhe përplasjeve të qytetarëve shkodranë me policinë, sot  Partia Socialiste ka mbledhur Këshillin e ri Bashkiak, të dalë nga votime një partiake të 30 qershorit. Që në orët e para të mëngjesit qyteti i Shkodrës thuajse është rrethuar nga forcat speciale dhe policia. 51 këshilltarët e PS dhe të PSD-së së deputetit Tom Doshi u mblodhën në bibliotekën e qytetit, pasi protestuesit bllokuan godinën e Bashkisë së Shkodrës. Mijëra qytetarë tentuan të hyjnë në vendin ku zhvillohej mbledhja, por u bllokuan nga policia.

Tensionet nuk kanë munguar dhe brenda mbledhjes së këshilltarëve të majtë. Në takimin e socialistëve hyri në sallë kryetarja e Këshillit të Qarkut të dalë nga zgjedhjet e vitit 2016, Greta Bardeli. Ajo e cilësoi nul dhe antikushtetuese mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe vendimet që ky këshill mori. Pavarësisht protestave, socialistët vijuan me mbledhjen dhe kryetare e këshillit të ri është zgjedhur Brisela Kadia me 42 vota pro, ndërsa dy prej tyre janë shpallur të pavlefshme.

Po ashtu në këtë mbledhje janë zgjedhur edhe tre nënkryetarët e tjerë. Ata janë Arvid Osja, Tereze Brigja dhe Suada Selimaj.

Këshilli nuk mori një vendim për mandatin e kryetarit të bashkisë. Fituesi i votimeve të njëanshme të 30 qershorit, Valdrin Pjerti dha dorëheqjen për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Në këtë situatë, drejtimi i Bashkisë së Shkodrës duhet të vijojë me Voltana Ademin. Por PS pretendon se Këshilli Bashkiak mund të zgjedhë kryetar një prej nënkryetarëve. Në mbledhjen e sotme një vendim i tillë nuk u mor, por nuk përjashtohet mundësia që të merret në mbledhjet e ardhshme.

Incidentet nuk kanë munguar dhe pas përfundimit të mbledhjes së këshilltarëve të PS. Disa protestues sulmuan deputetin Tom Doshi, në momentin që doli nga mbledhja.

Ndërkohë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës në detyrë, Voltana Ademi ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në qytet. Ajo deklaroi se do të vijojë të jetë kryetare e bashkisë deri sa të zhvillohen zgjedhje normale. “Nuk lejmë askënd që të uzurpojë qytetin dhe Shqipërinë. E kanë njerëzit në dorë, shkodranët e demonstrojnë dhe i falenderoj. Shkodra meriton shumë. Ne do të vazhdojmë të gjithë bashkë ta duam qytetin, do të kem detyrën dhe përgjegjësin të jem kryebashkiake deri në momentin për të gjithë ne ku ne do të sigurojmë zgjedhje të vërteta të rregullta të zgjedhin të lirë. Edhe për keshillin bashkiak për të gjithë vendin. Ne nuk e lejojmë”,- tha Voltana Ademi.

Situata në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë vazhdon të jetë e tensionuar. PS-ja me anë të policisë pret rastin të hyjë në zyrën e Voltana Ademit.

Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, Greta Bardeli

VIDEO/Deklarata e Voltana Ademit

Lexoni edhe…