Bankat në stanjacion, mbyllin degë dhe shkurtojnë punonjës

Kredia dhe depozitat e sistemit bankar nuk njohën rritje gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ndërsa bankat mbyllën 28 degë apo agjenci dhe shkurtuan 180 punonjës.

Një punonjës duke vendosur logon e bankës OTP, e cila bleu bankën Societe Generale Albania, në këtë foto të 2 prillit 2019 në Tiranë. Konsolidimi i bankave është shoqëruar me shkurtim degësh dhe punonjësish. Foto: Malton Dibra/LSA

Bankat në Shqipëri mbyllën zyra dhe shkurtuan stafe gjatë këtij viti ndërsa volumi i kredisë dhe i depozitave qëndroi në vendnumëro, dukshëm duke reflektuar gjendjen e ekonomisë shqiptare, e cila, sipas shifrave zyrtare përjetoi “ngadalësim të rritjes”. Ndërsa sipas Institutit të Statistikave, ritmi i rritjes ekonomike u ngadalësua në 2.2% nga 4.3% vitin e kaluar, të dhënat statistikore të sistemit bankar flasin për stanjacion në kredi dhe depozita.

Kështu, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të qershorit, stoku i depozitave në banka ishte 1.14 trilionë lekë, e pandryshuar nga stoku i qershorit 2018. Depozitat e klientëve me pakicë u rritën me 1.3% ndërsa ato të sektorit korporativ u ulën me 6.7%.

Stoku i përgjithshëm i kredive ishte 562 miliardë lekë, me një rënie prej 3.5% në krahasim me qershorin 2018. Kreditë e konsumatorit familjar mbetën të pandryshuara në 181 miliardë lekë ndërsa ato të klientëve korporativë ranë me 5.1%.

Fitimet neto të bankave për periudhën janar-qershor ishin 10.5 miliardë lekë, me një rënie prej 4.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu bankar pësoi ndryshime të forta gjatë vitit të kaluar kur tre banka dolën nga tregu përmes bashkimit apo blerjes nga banka të tjera në vend. Numri i operatorëve në këtë treg ra nga 16 në 13. Kjo duket se u shoqërua edhe me mbyllje degësh dhe shkurtim punonjësish. Kështu, në qershor 2018, numri i degëve dhe agjencive të të gjithë sistemit bankar ishte 480 ndërsa deri në qershor të këtij viti, 28 degë u mbyllën.

Në mënyrë të ngjashme, numri i punonjësve u reduktua nga 6,868 vetë në 6,688 ose 180 punonjës më pak.

BIRN