Askush s’ka besim te ai te Napoli, Hysaj bën gati valixhet

Elseid Hysaj shumë shpejt mund të ndajë rrugët me skuadrën e Napolit. Sipas asaj që raporton gazeta e njohur italiane “Il Corriere dello Sport”, mbrojtësi shqiptar nuk gëzon besimin e drejtuesve të të kaltëve dhe as të trajnerit Ancelotti, ndaj dhe ka vendosur që të kërkojë një destinacion të ri. Futbollisti shkodran nuk ndjen besimin se do të jetë protagonist, pasi edhe në sezonin e kaluar nuk ishte në formacion për pjesën më të madhe të ndeshjeve të rëndësishme.

 

Roma për momentin është skuadra më e interesuar për shërbimet e tij, duke marrë në konsideratë faktin që Tottenham nuk mund të bëjë më asnjë lëvizje në merkato. Për ta arritur te verdhekuqtë, Hysaj s’do ta ketë të thjeshtë pasi ekipi kryeqytetas ka shfaqur shumë interes edhe për Davide Zappacosta, mbrojtësin e krahut të djathtë të Chelsea-t.

Mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e fundit të merkato, por tashmë Napoli duket se ka vendosur që të ulë kërkesën e lart për Hysajn, teksa i kishte vendosur një çmim prej 20 milionë eurosh. Nuk përjashtohet as pista Juventus pas largimit të Pellegrinit në formë huazimi te Cagliari. /R.Lika-Koha Jone/