Aparati i parë digjital dhe shansi i humbur nga Kodak-u, zbulimi që ndodhi… para kohe

Në vitin 1975, Steven Sasson shpiku fotoaparatin e parë digjitale në botë, teksa punonte në kompaninë Eastman Kodak. Pajisja peshonte rreth 3.6 kilogramë dhe kishte rezolucion prej 0.01MP, shkruan Telegrafi.

Në videon e postuar më lartë, Steven shfaq pajisjen në fjalë, flet për mënyrën se si vepronte dhe për vështirësitë që ka hasur gjatë zbulimit.

David Freidman, i cili e bëri këtë video, thotë se fotografia e parë digjitale e bërë me këtë fotoaparat është e teknikut të quajtur Joy, e realizuar në dhjetor 1975. Por, fatkeqësisht, ky imazh nuk ekziston më.

Teksa kompania prestigjioze dhe inovatore në fushën e fotografisë, Kodak, nuk shihte potencial në të ardhmen e fotografisë digjitale, Steveni e mendonte të kundërtën. Por, nuk kishte mbështetje. Nuk duhet harruar se në kohën e zbulimit të tij nuk kishte celularë, as internet, shumica e televizorëve ishin bardhezi, ndërsa kompjuterët kishin madhësi të dhomave. Pra, njerëzimi nuk ishte i gatshëm për këtë zbulim të madh. Po ashtu, kompania Kodak që zotëronte 90 për qind të tregut të filmave fotografikë, e shihte teknologjinë digjitale si konkurrente të produktit kryesor të saj. Kështu, e la në harresë zbulimin e vet revolucionar. Më 2012, Kodak falimenton pikërisht për shkak të kësaj neglizhence.

Por, Steven e parashikonte evolucionin e digjitales. Megjithatë, thotë se besonte se njerëzit do të kenë nevojë për rezolucion prej vetëm 2MP – një standard qesharak sot, po jo për atë kohë.

Prototipi i fotoaparatit digjital Kodak është bërë nga pjesë të kamerave të filmave Super 8 të. Po ashtu u shtuan ca qarqe integrale, ndërsa për bardhezi u përdor sensori CCD. Imazhet kalonin nga sensori në memorien e përkohshme për 50 milisekonda. Nga atje duheshin edhe 23 sekonda për t’u regjistruar në një kasetë digjitale. Kaseta përmbante 30 imazhe. Ky numër me qëllim u zgjodh nga Steveni, si një mesatare e filmave me 24 dhe 36 “poza”. Atë kohë kasetat mund të regjistronin qindra ose mijëra imazhe, por njerëzit dikur nuk bënin shumë foto si sot, ndaj gjithçka u kufizua në 30. /Telegrafi/