Sulmoi turistët spanjollë, dënohet arrest me burg Kokëdhima

Mihal Kokëdhima, pronari i një restoranti në Porto Palermo, i cili sulmoi disa turistë spanjollë, si në filmat me horror, ka dalë sot para Gjykatës së Vlorës për masën e sigurisë.

Seanca ka nisur në orën 11.00.  Gjyqtare e çështjes ishte Esmeralda Habilaj, prokuror Prokuror Saimir Smaka dhe avokat Kujtim Cakrani dhe Erion Besimaj. Ai akuzohet për kanosje dhe dëmtime të tjera të pronës private me dashje.

Para nisjes së seancës, Kokëdhima dëgjohet teksa komunikon me avokatët. Atyre u drejtohet duke u thënë se kryeministrin e ka mik.

Avokati mbrojtës i tij pretendon se Kokëdhima nuk ka kryer vepër penale, pasi sipas tij nga Kokëdhima janë kryer vetëm kundravajte penale dhe jo vepra penale. Për këtë arsye sipas tij duhet që klienti i tij të dënohet me gjobë dhe jo burgim.

“Klienti im nuk ka rrezikshmëri shoqërore, dhe nuk mund të mbahet në burg për një shkatërrim prone, sepse demtoi një makinë. Ai është i gatshem të paguajë gjobën sado që të jetë për shkatërrimin e pronës, por jo që të burgoset. Pasi dhe në momentin e sulmit, Kokëdhima nuk ka pasur asnjë armë të ftohtë, madje ka edhe provat që tregojnë se në momentin e sulmit ka pasur në dorë vetëm celularin, asgjë tjetër”,- tha avokati.

Mihal Kokëdhima ka deklaruar para gjykatëses se nuk ka sulmuar askënd. “Nuk kam bërë asnjë gjë ti sulmoja ata. U mundova ti ndaloja. Ata nisen makinën dhe desh me shtypën. Ju luta gjithe rrugës të ndalonin dhe nuk ndaluan. Kur ndaluan zbrita nga makina dhe shkova vetë dhe lajmërova policinë”,- tha Mihal Kokëdhima.

I pranishëm në sallën e gjyqit, Kokëdhima nuk ka kursyer ironinë ndaj medias, duke deklaruar se kaq vëmendje mediatike nuk ka pasur as në ShBA me arrestimin e Osama bin Laden.

Në përfundim të seancës gjykata ka vendosur masën arrest me burg për Mihal Kokëdhimën.

Ngjarja u regjistrua tre ditë më parë. Në video e publikuar dje, Mihal Kokëdhima duket në pjesën e përparme të makinës dhe godet me grusht dhe me telefon xhamin derisa e thyen.

Brenda në makinë ishte familja e turistëve spanjollë, 5 anëtarë, shoferi dhe shoqëruesi shqiptar. Nga videoja duket që turistët janë tepër të frikësuar. Nga Porto Palermo ata nisen drejt rajonit të policisë në Sarandë. Makina vijon të jetë në ecje ndërsa 51 vjeçari mbi kofano të makinës vijon të godasë xhamin derisa e thyen.

Një pamje që as në filmat horror nuk ndodh.

Ndërkohë nga hetimet paraprake rezulton se ky restorant në Porto Palermo, rezulton të jetë pa leje.

Sakaq pavarësisht tentativës së Bashkisë së Himarës për ta shembur në vitin 2012 si objekt pa leje nga autoritetet, biznesi vijon të ushtrojë aktivitetin për vite me radhë mbi pronë publike, teksa aktualisht ndodhet në proces legalizimi.

Sot gjykata vendosi arrest me burg për Mihail Kokëdhimën.

Turizëm apo dajak shqiptar?! A ka më “mihal” të tjerë nëpër Shqipëri?