Pamjet e sulmit ndaj turistëve spanjollë “marrin dhenë”, shpërndahen në rrjetin e famshëm ‘Live Leak’

Duket se incidenti i ngjashëm me një skenë filmash aksion i pronarit të restorantit në Himarë ndaj një grupi turistësh spanjollë po “merr dhenë”.

Menjëherë pas publikimit të momenteve të tmerrit që kanë përjetuar turistët e huaj, të shoqëruar edhe nga shqiptarë, video bëri xhiron e rrjetit jo vetëm në mediat shqiptare.

Momentet dramatike janë publikuar prej ditës së djeshme edhe në rrjetin e famshëm të shpërndarjes së videove, në ‘Live Leak’.

“Pronari i restorantit sulmon turistët spanjollë”, titullohet video e shpërndarë, e cila deri tani ka marrë mbi 15 mijë shikime dhe qindra komente.

Sot Mihal Kokëdhima, pronari i restorantit u paraqit në seancën gjyqësore dhe u la në qeli me masën ‘arrest me burg’, për tri vepra penale: “kanosje’, ‘shkatërrim i pronës’ dhe ‘dëmtime të tjera me dashje’.