Historia e patreguar e kampeve të Lushnjes

Nga Gentiana Sula-

Në fund të nëntorit 1953 u mbyll kampi famëkeq i Tepelenës. Ata që u liruan nga internimi, kapërcyen telat me gjemba dhe në këmbë morën rrugën për shtëpi.

Mijëra të internuarit e tjerë të kampit, u hipën në kamionë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe u nisën drejt së panjohurës.

Kryeqendra e internimit ishte Savra, një fshat buzë rrugës në Lushnjë, ku ndodhej edhe komanda.

Sapo zbritën në zonën kënetore të Myzeqesë, e cila në vitet e mëpasme funksionoi si ferma “29 Nëntori”, të internuarit e Tepelenës, tashmë jashtë telave me gjemba, u rreshtuan për apelin e radhës me njoftimin e çangës.

Familjet “armike të popullit” nga e gjithë Shqipëria u vendosën në 7 baraka, në kushte shumë të vështira dhe për ta nisi një jetë e re, me punën në fermë, apelin e përditshëm dhe përshtatjen me kushtet e reja të jetesës.

E ideuar si kryeqendër internimi politik, ku do të mbaheshin në kontroll “klasat e përmbysura”, Savra i kapërceu arsyet për të cilat u krijua dhe jeta filloi të gjallonte me të gjitha ngjyrat e saj.

Në pak vite Savra dëshmoi martesat e para mes të internuarve, ku familjet e mëdha, të dënuara shumëfish, lidhën pazgjidhshërisht fatet e tyre. Dinjiteti njerëzor i “dyerve të mëdha”, Markagjoni, Pervizi, Bajraktari, Dukagjini, Kokali, Dine, Vatnikaj, Koliqi, Biçaku, Mulleti, Alla, Merlika, Topalli, Alizoti, Alla, Matjani, Kupi, Dosti, Kaloshi, Tinaj, Kolgjini, Sina, Bami, Mirakaj e dhjetëra të tjerë, mes të cilave e pesë kryeministrave shqiptarë, Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës, Fiqiri Dines, po mundte hapësirat e ngushta të barakave, ku vijonte përkthimi shqip i “Orlandit të çmendur” të Ariostos, me 40.000 vargje, nga Prof. Guljelm Deda, dëgjoheshin zërat e fëmijëve të lindur në Savër dhe shpresa po fitonte mbi të gjitha, me ligjësitë e saj të pashpjegueshme.

Siç shprehet një nga të lindurit në internim, – Jozef Radi, i biri i Prof. Dr. Lazër Radit, – i cili e kaloi një pjesë të jetës në Savër, “për herë të parë pas Tepelenës, të internuarit kishin një ëndërr, në vend të një klithjeje vdekjeje”.

Kjo afri e “klasave të përmbysura”, ky grumbullim që rreshtohej rregullisht për apel dhe gjatë ditës i nënshtrohej punëve më të rënda bujqësore, shumë shpejt u pa si kërcënim real nga arkitektët e tij.

U vendos që Savra të shpërndahej në shumë fshatra të zonës kënetore dhe familjet e ndëshkuara t’i kryenin atje internimet 5-vjeçare. Qendra internimi u kthyen fshatrat e Çermës kamp, Çermës sektor, Grabianit, Gradishtës, Kryekuqit, Karavastasë, Bedatit, Plugut, Gjazës, Rrapëzës, Kolonjës, Dushkut, Zhamës, Sulzotajt, Karbunarës, etj.

Komisioni i internim-dëbimeve mblidhej dhe vendoste për shtyrje të internimeve, sa herë anëtarët e këtyre familjeve mbërrinin në ditët e fundit të dënimit të dhënë, kryesisht nga 5 vjet.

Në disa shkresa të Aranit Çelës dhe Mihallaq Ziçishtit, thuhet se:

“Nuk ka t’internuar që të mbahen pa vendim të komisionit përkatës pranë kësaj Ministrije. Ka persona që janë internuar qysh nga viti 1950 dhe para kësaj kohe, por për këta persona, për rrezikshmëri shoqërore është zgjatur afati i qëndrimit të tyre në internim, të tillë janë persona që kanë qenë me pozita gjatë okupacionit të vëndit, si p.sh. familja Mirakajvet, Hasan Dostit, Pervizit, etj.”

Të internuarit renditeshin përditë për apelin në oraret e caktuara dhe i kishin të ndaluara lëvizjet jashtë fshatit ku jetonin. Për lëvizjet jashtë fshatit duhet të pajiseshin me leje të operativit. Punët e tyre ishin më të vështirat në fermë dhe privimet nga jeta sociale ishin gjithherë të pranishme.

Në këtë kontekst, a mund të konsiderohen kampe të punës fshatrat e mësipërm të fermës “29 Nëntori”? Apo ishin qendra internimi? Apo ishin burgje pa hekura?

Gjatë procesit të dokumentimit, sot, 30 vjet pas rënies së komunizmit, ne fotografuam vijën e ujit në Gjazë, e cila ishte pika kufitare që nuk mund të kapërcehej nga të internuarit. Edhe vija e ujit në Gjazë ka historinë e saj të patreguar të kufirit.

Po dënimet e rinovuara 5-vjeçare për 35 vjet me radhë, familjare, a u jepnin këtyre qendrave të internimit, të vendosura në ferma të mëdha e pjellore, ngjyrimin e kampeve të punës së detyruar?

Po marrëdhënia e përcaktuar qartë mes “këtyre të apelit” dhe fshatarëve të zonës, punëtorë të fermës, me vështirësitë e përditshme të punës e jetës së përbashkët, apo demaskimet teatrale në vatrat e kulturës të fshatrave përkatëse, si mund të përkufizohen?

Po arrestimet e të internuarve, dalja me pranga nga zyra e operativit, apo leja e refuzuar për t’u varrosur në vendlindje, si rasti i të ndjerit Mark Temali, si ndikojnë në emërtimin e këtyre qendrave të internimit ku shkuan jetën mbi 700 familje, siç ka dokumentuar Instituti për Integrimin e të Përndjekurve Politikë.

Ka shumë pyetje e përgjigje komplekse e shkuara e afërt, e cila meriton të njihet, të tregohet, të studiohet, të dokumentohet e, duke u rrëfyer në vende kujtese, të bëhet e vizitueshme për të rinjtë dhe brezat që do të vijnë.

Kjo është detyra e rëndësishme që kemi marrë përsipër.

Ndërtimi i një narrative gjithëpërfshirëse për kampet e punës /qendrat e internimit në Lushnjë, bazuar në dokumentimin e së djeshmes dhe të sotmes, mbi historitë familjare dhe individuale të të internuarve.
Krijimi i profileve të të lindurve në internim. Historitë e tyre që zunë fill në Savër, Gradishtë, Plug e fshatrat e tjera dhe sot shkruhen në të gjithë botën, me përvojat e tyre jetësore e profesionale.
Kthimi në vende kujtese i shtëpive, banesave, ndërtesave, kazermave të beqarëve në fshatrat e të internuarve në Lushnjë, Divjakë e Fier, me pllakate përkujtimore që t’i flasin të sotmes sonë dhe t’ua rrëfejnë qartësisht brezave këtë histori të patreguar të zonës ku u internuan 90% e kundërshtarëve politikë të sistemit.
Për këtë, Autoriteti synon ta shtrijë bashkëpunimin e vet në fushën e kujtesës, me të gjitha institucionet publike, shoqërinë civile dhe grupet e interesit.

Ky është projekti juaj/ish-të internuarve, që do të përkrahet nga ju, zhvillohet me ju dhe rritet me përfshirjen e të gjithëve.

Prezantimi i një projekti të tillë kompleks, me qasjen tonë europiane, i mbështetur mbi dinjitetin njerëzor, vë në jetë një ndër synimet e AIDSSH-së për hapjen e dialogut mbi të shkuarën, bazuar në kërkim, të dhëna e dëshmi, përfshirjen e të gjithë shoqërisë në të dhe edukimin qytetar të të rinjve, me vlera të demokracisë e respektim të të drejtave të njeriut.

*Fjala e mbajtur sot, ne emer te #AIDSSh