Batuta e Metës: Studentët që ngelen për në vjeshtë nuk u takon të bëjnë pushime të plota!

Presidenti Meta gjatë intervistës së dhënë për RTV21 është ndalur edhe tek çështja e integrimit europian të Shqipërisë, duke patur në konsideratë mbledhjen e Këshillit të BE-së të 17-18 tetorit, kur pritet vendimi për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Ndër të tjera Meta ka theksuar se “Pa zgjedhje të lira e të drejta, nuk mund të ketë kurrsesi çelje të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Nuk mund të ndryshohen kriteret e Kopenhagës për kapriçot apo për interesat e caktuara të asnjë udhëheqësi shqiptar apo kudo tjetër në këtë rajon. Prandaj ne duhet të lëvizim shpejt, sepse studentëve që ngelen për në vjeshtë nuk u takon të bëjnë pushime të plota”, – është shprehur ndër të tjera Meta.

 PJESË NGA INTERVISTA

 Gazetari: A jua pret mendja se sikurse ky fëmija që vrapon këtu, ashtu po vrapojnë edhe udhëheqësit politikë pas posteve?

Presidenti Meta: Po vrapojnë…?

Gazetari:Udhëheqësit politikë pas posteve. Edi Rama? Lulzim Basha? Kështu po vrapojnë, pas karriges.

Presidenti Meta: Ne duhet të mendojmë më shumë për të ardhmen e këtyre fëmijëve, dhe sidomos atyre të rinjve, që kundër dëshirës së tyre, duan të vrapojnë për t’u larguar nga Shqipëria për arsye se nuk ndiejnë siguri për të ardhmen e tyre dhe se ky konflikt artificial i ka lodhur kaq shumë dhe ua ka vrarë shpresat.

Ky është shqetësimi, alarmi kryesor që duhet t’i bëjë të gjithë, – duke filluar nga kryeministri i pari, dhe padyshim nga zoti Basha dhe përfaqësuesit e opozitës, të dytët, – për të reflektuar dhe për t’i thirrur mendjes, para se në Shqipëri të mos mbeten më njerëz për t’i votuar ata.

Gazetari:Pyetja e fundit për zgjedhjet në Shqipëri. Mendoni se do të ketë trazira?

Presidenti Meta: Shpresoj që në Shqipëri, pas këtyre ditëve të para të gushtit, të ketë reflektim me urgjencësi nga kryeministri Rama, ashtu edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, zoti Basha.

Të punojmë urgjentisht që t’i japim vendit një zgjidhje këto ditë. Të mos presim shtatorin pasi përndryshe do të kemi një dështim të sigurt më 18 tetor dhe një penalizim për vendin tonë, që do të jetë përgjegjësi në radhë të parë e kryeministrit Rama, por së dyti, e kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Basha dhe e gjithë atyre, të cilët nuk do të tregojnë vullnetin e duhur për një zgjidhje demokratike e gjithëpërfshirëse.

 

Pa zgjedhje të lira e të drejta, nuk mund të ketë kurrsesi çelje të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Nuk mund të ndryshohen kriteret e Kopenhagës për kapriçot apo për interesat e caktuara të asnjë udhëheqësi shqiptar apo kudo tjetër në këtë rajon.

 

Kjo besoj se do të jetë shumë e qartë në ditët që vijnë.

 

Gazetari:Shkurt Zoti President, pse kanë lidhje zgjedhjet më 13 tetor dhe vendimit më 18 tetor? Çfarë është ky pesëditëshi?

 

Presidenti Meta: Në 17-18 tetor udhëheqësit e Bashkimit Europian do të marrin vendimin nëse do të çelen apo jo negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një vendim që pritej të merrej në qershor, u shty për më 17-18 tetor. Ne prisnim ta merrnim provimin në qershor, por na e shtynë me mik për në vjeshtë.

 

Prandaj ne duhet të lëvizim shpejt, sepse studentëve që ngelen për në vjeshtë nuk u takon të bëjnë pushime të plota!

 

Duhet të përgatiten që të marrin provimin dhe këtu nuk bëhet fjala për disa individë e disa drejtues, por bëhet fjala për një vend të tërë. Nuk duhet të harrojmë që në vitin 2000 Shqipëria ka qenë në të njëjtin hap për integrimin europian me Kroacinë. Dhe ka qenë shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi. Ndërsa sot e dimë se sa vite u bënë që kur Kroacia është anëtare e Bashkimit Europian dhe e dimë se sa vite u bënë që Serbia dhe Mali i Zi kanë çelur negociatat me Bashkimin Europian. Kjo do të ishte një goditje e fortë për aspiratat e 99% të shqiptarëve, që duan të mos humbin më tepër kohë.