Basha: Të gjithë opozitarët këtë të hënë në Shkodër!

Nesër, pra me datë 19 gusht, PS-ja dhe kryeministri Rama e kanë ndarë mendjen të marrin Shkodrën. Pavarësisht se janë zgjedhje moniste, pa dekret, pavarësisht se kandidati i tyre Valdrin Pjetri dha dorëheqjen e parevokueshme nga marrja e postit që e detyruan nga Tirana, pavarësisht se Presidenti Meta këmbëngul se nuk ka dekret tjetër për zgjedhjet në Shkodër, përveç dekretit për datën 13 tetor 2019, prapë mazhoranca do të mbledhe këtë të hënë këshilltarët e saj që të marrë bashkinë.

Edhe me këto zgjedhje partiake që zhvilloi me 30 qershor PS-ja, përsëri nuk e merr dot Bashkinë e Shkodrës, sepse kryetari i tyre iku me dorëheqje.

Ndaj PD-ja e Shkodrës ka lëshuar kushtrimin që të vijnë opozitarët para vendit ku do të mblidhet “asambleja e tradhëtarëve” në qytetin e Shkodrës. Thirrja mbetet për këdo që e ndjen veten opozitar si dhe që nuk pranon marrjen e kalasë së Shkodrës prej Rilindjes, pa zgjedhje dhe me forcën e policisë.

Edhe Lulzim Basha deklaron se nesër në Shkodër do ketë mijëra njerëz për të protestuar kundër mafias së PS-së e cila po turret të marrë edhe qytetin historik të kulturës e të demokracisë.

Mbetet të shikohet nesër se sa veta do mblidhen për të kundërshtuar mbledhjen e këshillit bashkiak socialist në Shkodër, ku do të shkarkojnë e largojnë, pa zgjedhje, Voltana Ademin.

Mbetet të shikohet nëse do të shkojë vetë Lulzim Basha apo do jetë vetëm Voltana Ademi përballë lukunisë së kryeministrit!

S.P.