(VIDEO) Si u terrorizuan turistët spanjollë nga pronari i lokalit, Mihal Kokëdhima, në Himarë

Incidenti i ndodhur në Himarë ku pronari i një restoranti me emrin Mihal Kokëdhima dhunoi turistët e huaj që nuk ishin të kënaqur më shërbimin ka shokuar gjithë opinionin publik. Dhuna ndaj turistëve jo vetëm është një thyerje e kodit etik shqiptar për mikpritjen, por edhe turp kombëtar për turizmin.

Deri dje, ngjarja është raportuar vetëm në bazë të dëshmive që kanë dhënë turistët spanjollë që u dhunuan. Ndërsa sot “Report TV” ka publikuar videon kur Mihal Kokëdhima, pronari i një restoranti në Porto Palermo, në një mënyrë krejtësisht të çmendur, i është hedhur me trup furgonit ku udhëtonin turistët dhe teksa automjeti është në ecje ai godet me grushte xhamin e përparmë duke e thyer atë. Turistët brenda furgonit janë të tmerruar. Automjeti drejtohet nga një shofer shqiptar, edhe pasagjeri i parë dhe një tjetër udhëtarë janë shqiptarë, ndërsa në furgon dëgjohen të flasin të frikësuar edhe turistët spanjollë.

Ndërkohë, nga sa dëgjohet nga çfarë thonë shqiptarët, turistët spanjollë nuk donin të hanin ushqimin e porositur në restorantin e Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo për shkak të shërbimit të keq, por pronari i është sulur duke i ofenduar dhe i ka ndjekur edhe pasi ata janë larguar me furgon, duke iu hedhur mbi xham.

Shqiptarët dëgjohen të thonë se pas tyre është edhe një tjetër automjet që po i ndjek, ndërsa thonë se kishin edhe armë të ftohta.

Mihal Kokëdhima tashmë është i arrestuar nga policia dhe ndaj tij ka nisur procedim penal. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi u kërkuan ndjesë turistëve spanjollë për incidentin.

Ndërkohë dhuna ndaj turistëve që nuk u pëlqeu shërbimi dhe u sulmuan nga pronari është një kambanë alarmi për munguar të bizneseve turistike në vend. Ndaj duhet dënim shembullor ndaj këtij rasti të faktuar edhe me video.

 

Njoftimi i policisë për ngjarjen e dy ditëve më parë:

“Në lidhje me konfliktin me turistët spanjollë, arrestohet në flagrancë shtetasi: M.K., 51 vjeç, banues në Sarandë. Policia e Sarandës në bashkëpunim me Policinë e Himarës, pas hetimeve të kryera në lidhje me konfliktin e djeshëm në një lokal të Himarës, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 51 vjeçarit pasi: Ditën e djeshme, në lokalin e tij Bar-Restorant në Porto Palermo të Himarës, shtetasi M.K., për motive të dobëta ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup, por më shumë është dëmtuar shtetasia spanjolle K.R. Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”.

Në foto: Sulmuesi ndaj turistëve spanjollë