Trafik i rënduar, radhë të gjata automjetesh edhe në Pogradec

Pas trafikut të rënduar në Vlorë, këtë herë radha është e Pogradecit. Aktualisht radhë të gjata makinash kanë rënduar qarkullimin e mjeteve. Mësohet se ka qenë Festa e Birrës, ajo e cila ka kthyer vëmendjen e njerëzve drejt Korçës.

Paçka se qeveria reklamon me krenari punën e saj me aksionin “Plazh i lirë” dhe Informalitetin, sa i takon trafikut, qeveria ngel në klasë, pasi edhe këtë sezon veror nuk e zgjidhi këtë problem madhor. Trafiku mbetet një ndër shqetësimet kryesore të pushuesve që zgjedhin të kalojnë fundjavën në jug të vendit. Problematika kryesisht hasen në Vlorë, ku rrugët nuk e përballojnë fluksin e lëvizjes. Trafiku ishte edhe këtë të shtunë armiku i pushuesve që zgjodhën të kalojnë fundjavën në plazhet e jugut.

Me vonesa dhe ngadalësime udhëtarët u përballën në Transballkanike dhe segmentin nga Tuneli i Ujit të Ftohtë drejt Radhimës e Orikumit. Pushuesit thonë se u përballën me vonesa deri në 2 orë për të mbërritur në destinacione, megjithëse flasin për përmirësim të situatës në krahasim me vitet e shkuara. Gushti shënon fluksin më të lartë të pushueve në brigjet e Vlorës, çka ka bërë të vështirë edhe akomodimin. Trafiku i rënduar mbetet një problematikë në të gjitha qytetet turistike.