PD-ja lëshon thirrjen: Të hënën të gjithë në Shkodër!

PD-ja e Shkodrës bën thirrje të gjithë demokratëve të mblidhen ditën e hënë në ora 10.00 për të demonstruar kundër Rilindjes, e cila don të marrë Bashkinë me të gjitha mënyrat e paligjshme.

Postimi i plotë i Xhevdet Amulit:

Përpjekja e 30 qershorit për të instaluar një pushtet monist është refuzuar në mënyrë plebishitare nga qytetarët e Shkodrës.

Por mesazhi i tyre qytetar dhe i kulturuar po përdhoset nga Edi Rama dhe përfaqësuesit e tij në Shkodër.

I bëjmë thirrje qytetareve te Shkodrës pa asnjë ndasi politike, që ditën e hënë, ora 10.00, të bëhemi të gjithë bashkë, që zëri dhe vullneti jonë të mos përdhosen nga vullneti i vetëm një njeriu. Shkodra është e qytetarëve të saj dhe jo lodër në dorën e Edi Ramës.

Takohemi të hënën, ora 10.00, përpara Prefektures së Shkodrës, për të vijuar paqësisht protestën tonë, në mbrojtje të demokracisë dhe për të shprehur refuzimin për kapjen e qeverisjes vendore nga krimi e korrupsioni.

#partiademokratikeShkodër #pd #XhevdetAmuli

Por ka reaguar edhe ish-deputeti shkodran Bardh Spahia. Ja se ç’shkruan ish-deputeti:

Nga Bardh Spahia/

Thirrja ime qytetare u drejtohet së pari ju socialistëve, antidemokratë, apo quajeni veten si të dëshironi.

Mos u bëni palë me krimin kundër qytetit tonë të përbashkët!

Mos u bëni palë me të keqen kundër të tashmes e të ardhmes tonë e të fëmijëve tanë!

Mos u bëni mbështetje për kë është marrosur, e nuk di c’bën!

Unë njoh shumë nga socialistët apo “antidemokratët” e ndershëm të qytetit tonë të përbashkët. Të gjithë ne i kemi shpesh komshij, në lagjet e rrugicat tona, e gjithmonë mbaj mend, se njëlloj reagonim bashkë kundër hajdutëve, krimit e kriminelëve, kundër të keqes në cdo formë të saj, sa herë ka tentuar të prekë “shtëpitë” tona.

E pra ky qytet dhe ky vend është yni, i njerëzve të ndershëm e punëtorë, me bindje pro njërit apo kundër tjetrit, por s’mund t’ia lemë në dorë krimit, as të qytetit tonë, e as atyre, që përmes krimit, në qytetin tonë e në mbarë Shqipërinë, duan me cdo kusht, të zgjasin pushtetin e të shtojnë pasurinë e tyre.

Prandaj, të dashur bashkëqytetarë, të qytetit tonë të mrekullueshëm, le të bëhemi bashkë, për t’i dalë zot vendit ku jemi rritur, e ku kemi kujtimet më të bukura!

Le të bëhemi të gjithë bashkë kundër të keqes, që sot s’ka më asnjë ngjyrë politike. Nuk është më as rozë, as mavi, por thjesht e zezë, që i vërtitet vendit tonë për t’i marrë frymën, për t’i thithur gjakun, e cdo të mirë e burim jetësor.

Sot nuk bëhet më fjalë për politikë, për shkëmbim a përplasje idesh. Sot është dita e koha, t’i dalim zot qytetit dhe vendit tonë, e të mos ia lemë të ardhmen e fëmijëve tanë, në dorë të krimit.

Socialistët e ndershëm nuk kanë lidhje me krimin dhe nuk duhet të pranojnë të bëhen fasada e tij. Duhet të ulërasin me forcë për dinjitetin e nëpërkëmbur, e të mos pranojnë t’u mbyllet goja nga përfaqesuesit politikë të krimit.

Krimi është minorancë shumë e vogël. Ata janë pak, shumë pak. Bashkëqytetarët tanë e thanë fjalën e tyre, duke u distancuar, e duke e braktisur modelin e krimit, në më pak se 5% edhe pse të kërcënuar e të detyruar, respektoni vullnetin e tyre, nëse doni të keni vlerësimin e tyre. Kush nuk e kupton këtë raport bazik, vec sa e thellon hendekun, me një shoqëri e një qytet të tërë.

Ne qytetarët e Shkodrës së traditës, demokracisë e qendresës, artit dhe kulturës jemi shumë më shumë, e qytetin tonë, nuk do ia leshojmë kurrë krimit dhe përfaqësuesve politikë të tij! Eshtë një sprovë ku secili duhet të reflektojë mbi pozicionin e vet!

Koha për të zgjedhur pozicionimin mes të drejtës a të keqes është tani! Nesër do jetë vonë!