Task-Forca në Durrës, Klosi: 30 mijë m2 plazh publik për pushuesit

Qarku i Durrësit përfaqëson sot një hapësirë të vërtetë publike për të gjithë ata që duan ta shfrytëzojnë. Kështu deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nga Durrësi, ku u mbajt mbledhja e radhës së Taskforcës për këtë qark.

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave sot janë 30 mijë m2 plazhe publike të lira në të gjithë qarkun, që vihen në dispozicion të banorëve dhe pushuesve. Kryetarja e bashkisë Durrës, Valbona Sako tha se aksioni për lirimin e hapësirave publike rezultoi me impakt pozitiv edhe ekonomik për shkak të të ardhurave që janë 10 milionë më shumë sesa viti i kaluar. “Nëse vjet janë mbledhur 40 milionë lekë, këtë vit parashikohen 50 milionë lekë të reja”. Deri tani janë liruar hapësira në plazhin e madh, sektorin Rinia, Currila dhe Shkëmbin e Kavajës.

Duke iu referuar punës së Task-Forcës, ai vlerësoi se sezoni në qarkun e Durrësit deri tani është miradministruar në përputhje me kërkesat që dalin nga vkm e stacioneve të plazheve. Kemi një sezon më të pastër, më të sigurtë në rërë dhe në ujë dhe më të qetë për sa i përket ndotjes akustike, kjo falë masave të institucioneve lokale dhe qendrore.

Ministri Klosi tha se numri i pasaportave të huaja që kanë hyrë deri më sot për muajin gusht është rritur me 10% krahasuar me gushtin e një viti më parë, duke shënuar 850 mijë pasaporta të huaja deri më 17 gusht. Ky numër i shtuar është një përgjegjësi më shumë për të ruajtur me fanatizëm standardet e arritura, cilësinë e shërbimit karshi qytetarëve dhe pushuesve të huaj.