Sarandë, mbetjet gjatë sezonit janë pesëfishuar

Gjatë sezonit turistik, mbetjet në Sarandë janë 5-fishuar, ndërsa kapacitetet për të përballuar situatën janë të kufizuara. Kreu i ri i bashkisë, Ardian Gurma mori pjesë në një aksion pastrimi përgjatë shëtitores kryesore në Sarandë, ku tha se pastrimi i qytetit dhe rrethinave do të jetë intensiv përgjatë verës ndërsa ka ftuar bizneset, qytetarët dhe pushuesit të respektojnë vendet e hedhjes së mbeturinave.

Në të gjithë territorin e bashkisë së Sarandës grumbullohen dhe asgjësohen në landfillin e Bajkajt çdo vit rreth 9,5 mijë ton mbetje që vijnë nga qytetet e Sarandës, Ksamilit dhe 5 fshatrat përreth. 2 mijë ton mbetje voluminoze dhe interte depozitohen në shesh grumbullimin e Volloderit në hyrje të rrugës bregdetare.

Bashkia e Sarandës paguan një kosto prej 15 dollarë për ton për trajtimin e mbetjeve, ndërsa gati 1/5 e mbetjeve në të gjithë bashkinë nuk arrijnë të grumbullohen. Bashkia e re ka folur për një sistem të ri të menaxhimit të situatës që do të fillojë të funksionojë së shpejti.