Real Madrid shkatërron Celta-n, Modric “skuqet” për herë të parë në La Liga (VIDEO)

Real Madrid e nis me këmbën e mbarë sezonin e ri në La Liga. Skuadra e Zinedine Zidane, ka triumfuar pastër 3-1 në transfertën e vështirë ndaj Celta Vigos, duke koleksionuar 3 pikët e para në kampionat, ndryshe nga rivalët e Barcelonës që u mundën të premten nga Bilbao. Strategu francez hodhi në fushë nga minuta e parë Gareth Bale, pasi Eden Hazard nuk ishte i gatshëm për këtë ndeshje për shkak dëmtimi. Uellsiani ia ka shpërblye menjëherë besimin duke krijuar golin e parë sezonal për ekipin e tij.

 

Në minutën e 12-të, Bale bën një veprim të bukur dhe më pas pason në zonë, atje ku Benzema e ka të thjeshtë për ta shtyrë topin në rrjetë. Madrilenët kishin edhe dy mundësi të mira në fraksionin e parë me Modric dhe Bale, po portieri Blanci ishte në lartësinë e duhur. Në fundin e fraksionit të parë vendasit barazuan rezultatin me Mendez, po gjyqtari e anuloi për shkak të një prekje të topit me dorë.

Image

Në fillimin e pjesës së dytë ndeshja bëhet edhe më interesante, pasi në minutën e 56-të, Luka Modric u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj një prej kundërshtarëve. Arbitri e cilësoi të qëllimshme veprimin e tij pasi u konsultua me teknologjinë VAR. Kjo ishte hera e parë që kroati merr karton të kuq në La Liga, ndërkohë që më parë është ndëshkuar edhe në Superkupën e Spanjës në gusht të vitit 2014 ndaj Atletico Madrid.

Real Madrid gjithsesi nuk e humbi qetësinë, pasi 5 minuta më pas, Toni Kroos shënoi një super gol me një goditje nga një distancë prej 35 metrash. Skuadra e Zidane luan mirë dhe me mjaft siguri, teksa pas një aksioni mjaft të mirë të Marcelos dhe Benzema, në minutën e 80-të, është Lucas Vazquez, i cili e dërgon topin për herë të tretë në rrjetë. Në minutat shtesë, Celta shënoi golin e nderit me protagonist Losada-n. Triumf mëse i merituar për Real Madridin, që synon të fitojë titullin kampion. /Rozalb Lika-Koha Jone/