Pritje e gjatë për kartat e identitetit

Sqarimi i ministrisë së Brendshme se, pas tetorit kartat e skaduara të identitetit nuk do të përdoren më, ka shtuar fluksin e qytetarëve që aplikojnë për rinovim. Për pasojë, qytetarët në Laç thonë se janë përballur me radhë dhe vonesa. Për të shmangur radhët dhe përballuar fluksin e aplikimeve që pritet të vijë në rritje me afrimin e tetorit, në të gjithë vendin po hapen zyra të reja aplikimi.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, nga Laçi theksoi se zyrat e aplikimit do të jenë të hapura edhe të shtunave deri në përfundimin e fluksit. Kurbini është një prej bashkive ku ambientet nuk i përgjigjeshin nevojës, ndaj atje është hapur një zyrë e re.

Të prodhuara për herë të parë 10 vjet më parë, këtë verë skadojnë rreth 1.5 milion dokumente identifikimi. Qeveria ka zgjatur kohën e përdorimit deri në fund të vitit, por që prej tetorit, marrja e shërbimeve do të kushtëzohet me aplikimin për rinovim.