Presidenti uron ish-presidentin Meidani për 75 vjetorin e lindjes

Presidenti Meta ka uruar sot ish-presidentin e Republikës, Rexhep Meidanin me rastin e 75 vjetorit të lindjes.

Ja se ç’shkruan Meta:

Të dashur miq!
Ishte kënaqësi t’i uroja sot 75-vjetorin e lindjes Prof. Rexhep Meidanit, ish-President i Republikës në vitet 1997-2002, një personalitet i jashtëzakonshëm, jo vetëm i shkencës, por edhe i jetës publike në vend, i cili ka ofruar gjithmonë kontribute pozitive me shumë përgjegjshmëri dhe modesti. 
Në veçanti do theksoja sot kontributet e tij si President që vendi të kishte një Kushtetutë demokratike si ajo që votua në Referendum në vitin 98, që ndihmoi në demokratizimin e vendit për një dekadë, si dhe angazhimin e tij të veçantë si President gjatë krizës së Kosovës dhe më pas për afirmimin e saj.
Prof. Meidani për mua ka qenë gjithmonë një shembull i respektimit të institucioneve dhe parimeve demokratike, i mbrojtjes së interesit kombëtar dhe publik.
Ndaj edhe njëherë po ndaj edhe me ju urimet e mia më të mira për Prof. Meidanin dhe familjen e tij në këtë ditë të gëzueshme.