Gjonaj: Goditje për zinxhirin korruptiv, bashkëpunim me 28 institucione

Ministria e Drejtësisë (MD) është e vendosur për të çuar deri në fund luftën ndaj korrupsionit. Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, përfaqësues të MD kanë vijuar takimet intensive për rivlerësimin e Planit të Veprimit 2019-2023, në kuadër të zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale kundër korrupsionit. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka përcjellë disa nga detajet e takimeve të frytshme me përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik, ndërsa priten edhe tryeza bisedimi edhe me 28 institucione të tjera.

Ndër të tjera Gjonaj shprehet se “Ministria e Drejtësisë vijon takimet intensive me institucionet bashkëpërgjegjëse në kuadër të diskutimit dhe rivlerësimit të Planit të Veprimit 2019-2023 për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit. Kalendarin e takimeve konsultative e filluam me përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Agjencisë së Prokurimit Publik dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit. Diskutimet ndërinstitucionale janë të fokusuara në shkëmbimin e propozimeve të përbashkëta mbi masat dhe aktivitetet e Planit të ri të Veprimit, për një zbatimin sa më cilësor të Strategjisë Kombëtare Antikorrupsion.

Performanca e institucioneve të administratës publike në luftën kundër korrupsionit dhe gjetja e mënyrës efikase për implementimin e objektivave të normuara në Strategji dhe Draftplanin e Veprimit, janë baza mbi të cilin institucionet bashkëpërgjegjëse kanë hartuar aktivitetet, hapat dhe objektivat e parashikuara deri tani në zbatim të tri qasjeve korrupsionluftuese: Ndëshkuese, parandaluese dhe ndërgjegjësuese. Përfaqësues të shoqërisë civile janë të thirrur të vlerësojnë planin e këtyre masave, të sugjerojnë rekomandimet e tyre dhe të jenë pjesë e tryezave të përbashkëta të diskutimit gjatë harkut kohor shtator-tetor”.