Braziliani Emerson: Premtoj se do të jap edhe gjakun për Vllazninë!

Vllaznia ka zyrtarizuar dje afrimin e sulmuesit brazilian, braziliani Emerson Brito Dos Santos. Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit, ai ka treguar disa disa detaje nga karriera e tij me Palmeiras dhe stërvitjen nën drejtimin e kampionit të Botës Luis Felipe Skolari. 28 vjeçari ka folur edhe për sezonin e kaluar në Oman që ka qenë më i miri i karrierës së tij, ndërkohë që ka bërë edhe premtimin për të shënuar shumë gola edhe për Vllazninë.

Emerson, përse zgjodhët Vllazninë?

Menaxheri im ka kontaktuar me njërin nga drejtuesit e Vllaznisë, kanë diskutuar rreth meje dhe më pas, kanë arritur akordin që unë të jem pjesë e kësaj skuadre dhe ja tek jam. Drejtuesit e klubit kanë parë disa nga videot e mia të ndeshjeve të sezonit të kaluar në Oman dhe janë bindur për aftësitë e mira prandaj dhe më ofruan firmosjen e kontratës.

Tifozët e Vllaznisë e kanë pritur mirë ardhjen tuaj. Cili është premtimi juaj për ta?

Jam shumë i etur për të nisur këtë eksperiencë të re. Premtoj të dhuroj gjakun tim për këtë ekip dhe shpresoj shumë që tifozët të kënaqen me futbollin tim. Jam mirë fizikisht dhe shpresoj shumë që të jem i gatshëm për ndeshjen e parë që luhet javën e ardhshme.

Momentet më të bukura të karrierës tuaj besoj se janë ato tek Palmeiras?

Po, ishin momentet më të bukura, Palmeiras është një klub i madh në Brazil. Për më tepër, pata kënaqësinë të stërvitem nga një kampion bote, Luis Felipo Scolari (Felipao). Sezoni im më i mirë është ai 2017-2018 kur kam shënuar 10 gola dhe kam dhënë 7 asiste për ekipin tim në Ligën e Omanit.