Barkas në socializëm

Komunizmi

Nga Kastriot Dervishi –

Diku nga viti 1956 Enver Hoxha shpalli një amnisti të përgjithshme për emigrantët politikë të larguar nga Shqipëria në vitin 1944 kur komunistët morën me dhunë pushtetin. Të prekur nga propaganda, me mall për fëmijët që i kishin në Shqipëri, dy vëllezër me banim në SHBA vendosën t’i përgjigjeshin thirrjes dhe të ktheheshin në atdhe. E dëgjon bisedën e tyre Xhevat Kallajxhiu, ish botuesi i gazetës “Demokratia” dhe drejtues bashkie e nënprefekture, gjirokastrit, njohës i mirë i Enver Hoxhës (ai që i botoi fjalimin për Bajo Topullin në vitin 1936). I menduar, Kallajxhiu i thotë: “Dëgjoni mor djem! Atje është vendosur komunizmi sovjetik. Nuk ka liri. Ka diktaturë. Mos e bëni këtë gabim sepse nuk ktheheni më këtej”. Foli e foli, por e pa se ishte e pamundur. Atëherë u kërkoi që të ikte vetëm njëri prej tyre. Nëse gjendja ishte e mirë, ai të dërgonte një fotografi në këmbë. Nëse gjendja ishte keq, të dërgonte një fotografi ulur në një karrige. Djemtë e pëlqyen këtë mendim. Fundja, njëri ikte përpara e tjetri pas disa muajsh. Amnistia kishte disa muaj kohë. U largua njëri nga vëllezërit. Vëllai tjetër priti disa muaj, por asgjë fito nuk po vinte. Nuk mund të nisej pa ardhur fotografia. Mbaroi edhe koha e amnistisë, kur më së fundi vjen fotografia nga i vëllai. Kishte dalë jo në karrige, por i shtrirë i gjithi përmbys në tokë, me pamje të mërzitur. Kishte hyrë nga një derë që nuk do i hapej më.

(Rrëfyer prej djalit të Xhevat Kallajxhiut në vitin 2004)