Akademia e Shkencave për Baxhakun: E shpërnguli gazetarinë nga sallat tek populli

Për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit, publicistit, Fatos Baxhaku, Akademia e Shkencave ka shprehur ngushëllimet. Përmes një mesazhi prekës, Akademia e Shkencave shkruan se Fatos Baxhaku krijoi modelin e reporterit televiziv në një shoqëri të lirë. Ishte i pari që me emisionin dokumentar ”Jashtë bulevardit”, e shpërnguli gazetarinë shqiptare nga sallat e konferencave të shtypit, ku ishte vetëngujuar, tek jeta e njerëzve të zakonshëm të popullit, të braktisur në fatin e tyre.

Mesazhi i plotë:

Fatos Baxhaku u nda nga jeta. U nda nga jeta në mënyrë të parakohshme publicisti dhe kërkuesi shkencor Fatos Baxhaku. Për disa vite me radhë (1986-1992) Fatos Baxhaku punoi si kërkues shkencor në rrjetin e instituteve kërkimore albanologjike të Akademisë së Shkencave.

Përfundoi studimet doktorale për histori dhe botoi në gjermanisht bashkë me albanologun e mirënjohur, Peter Bartl monografinë kushtuar doktrinës “cultus protectorati” të perandorisë biqefale austrohungareze për mbrojtjen e të krishterëve në Ballkanin otoman.

Vendi i tij në gazetarinë tradicionale dhe televizive gjatë tri dekadave të fundme ishte dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Fatos Baxhaku krijoi modelin e reporterit televiziv në një shoqëri të lirë. Ishte i pari që me emisionin dokumentar “Jashtë bulevardit” e shpërnguli gazetarinë shqiptare nga sallat e konferencave të shtypit, ku ishte vetëngujuar, tek jeta e njerëzve të zakonshëm të popullit, të braktisur në fatin e tyre.

I ndjeri Fatos Baxhaku e përcolli dijen dhe përvojën e tij tek gazetarët e rinj edhe si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe si editor në të përditshme të njohura. I pabujshëm, po aq sa dhe i suksesshëm, Fatos Baxhaku do të kujtohet si njeri e profesionist i shkëlqyer, si koleg i dashur dhe drejtues dinjitoz. I përjetshëm do të jetë kujtimi i tij.