Valdrin Pjetri iku, kurse Rama mbeti në klasë. Opozita gati për përballje

Valdrin Pjetri u tërhoq dje nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës, natyrisht me votimet partiake të PS-së. Vendimi vjen pak ditë pas akuzave dhe dokumenteve të publikuara nga Partia Demokratike, sipas të cilave kandidati i PS më 30 qershor ka qenë i dënuar për trafik droge në Itali, në vitin 2003.

Në një sqarim në Facebook, Pjetri deklaron se ngjarja për të cilën e akuzon PD “është krejt banale dhe ka ndodhur kur ishte student”. Mund të jetë kështu dhe duam ta besojmë, por ligji e parashikon se duhet deklaruar gjithçka. Dhe këtu gaboi Valdrini!

Zyrtari i lartë i PS dhe fituesi i votimeve të kontestuara të 30 qershorit thotë se do të ndjekë rrugën ligjore për të zbardhur të vërtetën e akuzave, pa pasur asnjë funksion shtetëror, por si qytetar i thjeshtë. “I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem  nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”, thotë ndër të tjera Pjetri në mesazhin e publikuar dje për votuesit e tij dhe qytetarët. Në fakt Valdrin Pjetri kot u ngatërrua në punët politike të PS-së, pasi ishte një menaxher i zoti në punët e tij të biznesit, por kur ngatërrohesh me kupolën socialiste kështu e pëson, kur nuk je pjesë e pazarëve direkte të kupolës.

PS-ja e përdori Valdrinin dhe e hodhi. Kështu ka bërë me shumë prej tyre që më pas janë penduar pse janë përdorur nga Rilindja.

Vladrin Pjetri këto ditë ka qenë në qendër të debatit publik dhe përplasjes mes pozitës dhe opozitës reale në vend. Por nga dje Valdrin Pjetri e mbyllin debatin në planin e tij personal. Fajtor apo jo, i dorëhequr apo i detyruar të dorëhiqet, personalisht kandidati i PS-së në Shkodër zgjodhi të heq dorë nga mandati i fituar në një palë votime jo normale. Duke dalë nga streha e pushtetit dhe duke zgjedhur të përballet me drejtësinë jo si një përfaqësues i PS, por si qytetar i thjeshtë Valdrin Pjetri bëri të parin akt normal në këto kohë kur arnormaliteti është kthyer në rregull nga qeveria “Rama”. Sigurisht, nëse kandidati i PS në Shkodër kishte këto probleme që denoncoi PD-ja, qoftë edhe si ngjarje banale siç thotë vet Valdrin Pjetri, do të ishte më e udhës që të mos kishte kandiduar. Po gjithë debateve për qëndrimin politik, Valdin Pjetri u dha fund dje me heqjen dorë nga posti. Se çfarë do të ndodhë më tej me fatin e tij personal për opinionin nuk ka më shumë rëndësi. Ndërsa politikisht rasti i Shkodrës është një tjetër skandal në serinë e gjata të mëkateve dhe skandaleve të qeverisë socialiste dhe të kryeministrit Edi Rama. Nëse për kandidatin e 30 qershorit në Shkodër kjo që ndodhi ka një kosto personale, për Edi Ramën dhe PS-në ka një goxha faturë të rëndë politike.

Valdin Pjetri është emri radhës në serinë e gjatë të zyrtarëve të lartë të PS-së që kapen nga ligji i dekriminalizimit. Para tij ishin kryebashkikë dhe deputetë me shumë pushtet në PS për të cilët Edi Rama betohej se ishin të pastër dhe në fund rezultuan me vepra të rënda penale. Më shumë se emrat e përveçëm në këtë seri “dëshmorësh” të Rilindjes nga ligji i dekiminalizimit, ka rëndësi fenomeni. Të marrë veç e veç zyrtarët e larguar socialistëve mund të mos u duken si raste flagrante, por të gjithë bashkë këta emra krijojnë idenë e një qeverisje që ka brenda saj pjesën me problematike të shoqërisë shqiptare. Në këtë rast, nuk mund t’u kërkosh llogari të dënuarve se përse u futën në politikë, por drejtuesve politikë që pranuan tu japin pushtet dhe ti emërojnë si përfaqësues të qytetarëve. Të gjithë të larguarit nga dekriminalizimi janë emra që kanë pasur mbështetjen dhe bekimin direkt të Edi Ramës. Kryeministri i ka emëruar personalisht dhe u ka dhënë këtyre njerëzve shumë më shumë pushtet se mijëra socialistëve të tjerë që kanë pasur kontribute në PS. Ç’ka është më e rëndë ka të bëjë më faktin se po me vendosmëri këta emra problematikë janë mbrojtur nga Edi Rama në mënyrë absurde. Në fund, kur dokumentet kanë dalë dhe kur s’ka pasur më asnjë dyshim për të kaluarën e zyrtarëve të PS, Edi Rama është mjaftuar vetëm me shprehjen “nuk e dija”.

Një qëndrim i tillë tregon se problemet e qeverisjes “Rama” janë shumë herë më të rënda nga sa duken. Një kryeministër mund të mos ketë informacion për të kaluarën e një zyrtari të nivelit të ulët, por jo për njerëz me të cilët ndan pushtetin dhe u jep detyra të rëndësishme prej më shumë se 6 vitesh.

Me shprehjen “nuk e dija” Edi Rama tregon se është i paaftë dhe nuk e ka informacionin bashkëpunëtorët e tij, ose çfarë është dhe më keqja, e vetmja mënyrë për të qëndruar në pushtet është qeverisja më këdo, edhe me ata që kanë probleme me ligjin.

Në fund, përgjegjësinë nuk e kanë ata, por kryeministri që i zgjodhi. Tani opozita nuk duhet të presë më. Shtatori duhet të jetë finalja e protestave.

Nuk ka kohë më!

Qamil Xhani