Shumë qytetarë europianë nuk u besojnë institucioneve të BE-së

Ka shumë qytetarë evropianë që nuk u besojnë institucioneve të BE-së por numri i euroskeptikëve po zvogëlohet. Kjo është ajo që del nga sondazhi i fundit i Eurobarometrit. Në përgjithësi, 44% e të anketuarve janë shprehur se kanë besim në institucionet e BE. Më besimplotë janë shprehur lituanezët me 72%, Danezët me 68% dhe Estonianezët 60%. Më shumë mosbesues janë grekët, 66%, pasuar nga francezët dhe britanikët me 56%, pastaj italianët dhe çekët me 55%.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Mina Andreeva theksoi se “ky është rezultati më i mirë që nga viti 2014. Besimi në Bashkimin Evropian është rritur në 20 vende anëtare. 73% të anketuarve e konsiderojnë veten qytetarë evropianë”.

Emigracioni mbetet shqetësimi kryesor në continent dhe ai shfaqet në 34% të përgjigjeve të të anketuarve, edhe pse ka rënë me gjashtë pikë që nga vjeshta e vitit 2018. Shqetësimi për ndryshimet klimaterike, dikur i renditur i pesti në anketën e Eurobarometrit, tani është në vendin e dytë. Në vendin e tretë renditet situata ekonomike, e cila është më shqetësuese në Itali, Greqi dhe Spanjë.

Mbështetja në Evropë për monedhën euro mbetet e pandryshuar në 62%, një përqindje që rritet në 76% në eurozonë (+9 nga pranvera e 2014). Sondazhi i Eurobarometrit u krye me intervista individuale në Shtetet Anëtare të BE-së, si dhe në vendet kandidate, përkatësisht Maqedoninë Veriore, Turqinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Shqipërinë.