Rama për Pjetrin: Nuk është kriminel, fshehja e ngjarjes sjell dënim penal

Kryeministri Edi Rama, i ka dedikuar 4 postime në Twitter, kandidatit të dorëhequr për bashkinë e Shkodrës, tashmë i përjashtuar nga PS-ja, Valdrin Pjetrit. Në postimin e parë, Rama thotë se Pjetri nuk është kriminel edhe pse pranon se fshehja e ngjarjeve është e patolerueshme.

Postimi i parë

Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19-vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!

Ndërsa në postimin e dytë, kryeministri thotë se ka ardhur koha që në politikë të jetë ligji që shteti verifikon kandidaturat para regjistrimit të tyre në zgjedhje.

Postimi i dytë

Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!

Kurse në postimin e tretë, Rama ”sulmon” veprimin e Pjetrit. Ai thotë se një kandidat që gënjen në mirëbesim, nuk mund të lërë në baltë zgjedhësit dhe partinë.

Postimi i tretë

Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë.

Në postimin e fundit, Rama u kujdes që të mos marrë përgjegjësi për Pjetrin. ”Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”.

Postimi i katër

Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive.