Mëngjeset me Tos Baxhakun, tek Bar “West”!

Nga: Alfred Peza

Mëngjeset e shumë viteve të mia të para në gazetari, do të ishin më të varfra, pa ritualin gati religjoz të fillimit të ditës, me çastet e shenjta të leximit të reportazheve të Fatos Baxhakut. Ishte periudha kur shkolla e gazetarisë ende nuk kishte diplomuar studentët e saj të parë dhe shkrimet e një grupi të vogël gazetarësh, ishin të vetmet leksione që na mësonin gjërta që nuk kishim se nga ti dinim. Ndaj, i përpinim ato, bashkë me kafenë e parë të ditës.

Pavarësisht se tek Bar “West”-i i Parkut “Rinia” të kioskave, shiheshim të gjithë pothuajse çdo ditë, bënim sikur rituali i leximit të njëri tjetrit nuk ndodhte kurrë. Ndryshe nga sa me të tjerët, rrallëkush e kish në atë ambjent, vetinë e tij. Vetinë për të rrezatuar në tavolinë, edhe më shumë, sesa nga faqet e gazetës. Sepse Tos Baxhaku ishte një enciklopedi lëvizëse dijesh, kulture, qytetarie, urtësie, thjeshtësie, mirësie. Ishte shok. Ishte një bashkëbisedues që të bënte të ndiheshe familjar, me humorin dhe batutat e një njeriu modest, gjithmonë me këmbë në tokë.

Rivialiteti më i madh në mediat e shkruara të asaj kohe ishte mes ne të gazetës “Koha Jonë” dhe grupit të kolegëve të “Gazeta Shqiptare”. Ku bashkë me Tosin, ishin atë kohë edhe Andrea Stefani, Ali Uka, Mond Laçi, Tor Pustina, Mand Mero, Kol Balla, Arlinda Çausholli, etj.

Një ditë sapo hyra tek lokali i gazetarëve, më ftoi në tavolinën e tij për të më prezantuar Mentor Kikinë, i cili ishte caktuar që të mbulonte tek “armiqtë” tanë, sektorin tim të “kronikës së zezë”. Disa javë përpara kësaj, me buzëqeshjen e tij babaxhane, Tosi më kishte thumbuar duke u “ankuar” se nuk po lexonte më nga ato shkrimet e mia të dikurshme që lançoheshin dukshëm në faqen e parë. Një pickim që ende më dhemb, për të më sjellë në vete, nga një moment i vetkënaqësisë rinore. Ndaj, kur më kërkoi që të punonin sëbashku me Torin si dy profesionitë të mirë rivalë, e kuptova që isha rikthyer sërisht në lartësinë e asaj, që ai kërkonte të shihte tek unë në gazetari.

Pavarësisht këtij raporti prej kolegësh që rrëkëllenim ndonjë “kaçurrel” tek Fideli paraditeve, apo darkave tek lokali në kryqëzimin e Farmacisë 10, kurrë nuk kishim punuar sëbashku. Derisa fati na bashkoi, tek Departamenti i Informacionit në Televizionin e ri “Klan”. Ai si Drejtor i lajmeve dhe unë si Kryeredaktor i kësaj media, e cila edhe për shkak të kontributit të tij të çmuar, do të bëhej shumë shpejt një nga më të rëndësishmet në Shqipëri.

Pas disa vitesh nuk do ta harroj momentin kur do ta zëvendësoja si Kryeredaktor në gazetën “Shqip”. I vetmi kusht që i vura Tanit të “Top”-it ishte që prezantimin tim përpara stafit, të mos e bënte ai, por Tosi. Edhe Tanit i pëlqeu ideja. Sepse megjithëse kishte themeluar një gazetë të shkëlqyer, siç veç ai mund ta bënte, ishte i mërzitur nga vendimi. Dija se ku ta gjeja. Ndaj vrapova tek “Friends Book House”, ku bashkë me Aldo Lipen, u takuam si dikur në kohët “e vjetra”.

Pas shumë vitesh pune të përbashkët tek “Shqip” ku ishte opinionisti i saj kryesor, jeta mori drejtime të ndryshme për të dy. Megjithëse shiheshim e dëgjoheshim gjithmonë e më rrallë, kimia e raportit tonë kishte vetinë e verës: Bëhej gjithmonë e më e mire, me kalimin e viteve. Pavarësisht se të rejat dhe të falat për të kohët e fundit, nisa ti shkëmbeja më së shumti me mikun e tij të pandarë Eno Milkani, me të cilin i kemi apartamentet përballë në pallatin ku banoj.

I shokuar nga lajmi për ikjen krejt të parakohëshme të Tos Baxhakut, nuk e di pse përpara syve më kaluan të gjitha ikjet e ngjashme, që më së shumti i kisha përcjellë dikur me të. Që nga Ali Uka, Dor Keko, Moi Pashko e Tan Hoxha dhe deri tek Ndriu Stefani. Të gjitha ikje të parakohëshme, që të pikëllojnë dhe të bëjnë që të reflektosh thellë për jetën. Jo vetëm duke rrëmuar nëpër kujtimet e së shkuarës, por sidomos, për të ardhmen.

E ndërkohë që po hidhja këto radhë, mu kujtua që kish shkruar dikur se “Peza, është një kalë pune si pakkush në media, ku të paktën ne gazetarët që kemi punur me të, e dimë…”. Janë fjalë që, siç bënim dikur sikur nuk i lexonim shkrimet e njëri- tjetrit, tani nuk para na i nxë edhe aq kollaj goja, për tia thënë publikisht njëri- tjetrit.

E kur e pyeta njëherë se si e shpjegonte këtë metamorfozë, ai mu përgjigj sipas mënyrës së tij: “Ehhhh,- psherëtiu thellë,- ethet e arit, e vranë pafajësinë e solidaritetit tonë!” E vuante këtë gjë. Sepse Tos Baxhaku e ruajti deri në fund, si rrallëkush në këtë qytet, pafajësinë e tij. Ndaj bashkë me të, do të na mungojë, edhe modeli i gazetarisë që ai krijoi!

R.I.P.