Bayernit s’i mjafton super Lewandowski, ndalet ndaj Hertha Berlin (VIDEO)

Bayerni i Mynihut ka zhgënjyer që në ndeshjen hapëse të Bundesligës. Kampionët në fuqi nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 2-2 ndaj Hertha Berlin në “Allianz Arena”.

 

Ndeshja do të niste në mënyrën më të mirë për skuadrën e Niko Kovac, që gjeti rrugën e rrjetës me Lewandowskin në minutën e 24-të, pas një pasimi mjaft të mirë të Gnabry. Më pas bavarezët janë përmbysur në harkun e dy minutave nga skuadra e Hertha Berlin në duelin e parë që po luajnë.

Në minutën e 36-të, Ibisevic e dërgoi topin në rrjetë pas një devijimi rastësor, ndërkohë që dy minuta më pas Grujic bën çfarë të dojë me mbrojtjen e vendosur shumë keq të bavarezëve, kalon Neuer dhe e dërgon topin në rrjetë.

Për të shmangur disfatën e parë sezonale do të mendonte Lewandowski, i cili realizoi në minutën e 60-të nga pika e bardhë. Edhe pse koha nuk mungonte, Bayerni nuk arriti që të realizonte një tjetër gol deri në fund, duke e nisur me një hap fals kampionatin. /R.Lika-Koha Jone/