Bashkëpunim ndërinstitucional mes bashkive e prefekturës

Në prefekturën e qarkut Gjirokastër u zhvillua dje takimi me kryetarët e rinj të zgjedhur të bashkive të qarkut Gjirokastër, nën drejtimin e prefektit të qarkut, Astrit Aliaj dhe me pjesëmarrjen e zëvendësministres së Brendshme, Romina Kuko.

Gjatë takimit prefekti Aliaj, i uroi suksese kryetarëve të rinj të sapozgjedhur në përmbushjen e sfidave të reja në drejtimin e bashkive përkatëse, duke i ofruar të gjithë mbështetjen e institucionit që ai drejton, nëpërmjet një bashkëpunimi të frytshëm ndërinstitucional, për realizimin e këtij misioni të rëndësishëm në të mirë të gjithë komunitetit të qarkut.

Nga ana e saj, zv/ministria e Brendshme, Romina Kuko, kërkoi nga kryetarët e zgjedhur përmbushjen me përgjegjësi maksimale të detyrimeve funksionale që ju janë besuar në zgjedhjet e fundit vendore, duke adresuar edhe problematikat aktuale në qark.

“Këto problematika kërkojnë angazhim maksimal si ndjekja me përparësi e procesit të rinovimit të pasaportave e kartave të identitetit për shkak të fluksit të lartë, si dhe finalizimi me sukses i procesit të adresarit sipas planit të masave të Ministrisë së Brendshme”, nënvizoi Kuko. Po ashtu, vijoi ajo, edhe trajtimi me përparësi i ofrimit të materialeve dhe informacioneve bazë turistike, çdo vizitori të huaj që do t’i shërbejë gjatë qëndrimit në vendin tonë, duke zhvilluar më tej një model të ri komunikimi me turistët.