Vetëm me 13 Tetor zgjedhje në Bashkinë e Shkodrës

Dokumentat që nxori PD-ja ndaj Valdrin Pjetrit dhe largimi nga vetja e përgjegjsisë prej kryeministrit Rama për kandidatin e tij të PS në Shkodër kanë krijuar një gjendje paniku në selinë e PS në qytetin e Shkodrës, por edhe një sulm të opozitës ndaj kryeministrit që kandidon vetëm emra problematikë me ligjin e dekriminalizimit.

Valdrin Pjetri nuk kishte pse kandidonte nëse e dinte se kishte probleme me ligjin, ndonëse disa deputetë apo në kupolën rozë i kanë dhënë garanci për këtë gjë se “nuk të ndodhë asgjë sa ke ne!”. Ai tashmë do të marrë ndëshkim ligjor, gjithnjë nëse dalin të verteta akuzat e PD-së. Prokuroria ka filluar hetimet për rastin në fjalë dhe pritet nga pala italiane përgjigja zyrtare nëse është dënuar apo jo Valdrin Pjetri, por derisa nxitoi Edi Rama ta largoj nga vetja, Valdrinin, tregon se diçka ka në këtë mes pasi kryeministri ka marrë informacione nga burime zyrtare. Por duke u marrë paksa me Valdrinin, pasi prapë theksojmë se nuk kishte pse futej në një lojë të tillë pavarësisht se dihet se kush e ka nxitur të kandidojë dhe pse, ai duhej të tërhiqej në biznesin e tij privat. Dhe sot do të ishte në punët e tij dhe jo objekt lajmi e penaliteti.

Ndërkohë situata në Shkodër po precipiton rrezikshëm. Duket se do të bllokohet konstituimi i këshillit bashkiak në Shkodër, natyrisht edhe nuk do të betohet Valdrin Pjetri. Pra mbetet një situatë që nxjerrë prapë në skenë presidentin e Republikës Ilir Meta për dekretimin e zgjedhjeve në Shkodër pas mosbetimit apo ndëshkimit ligjor të Valdrin Pjetrit. PS-ja ka filluar të luajë lojën se Voltana Ademi do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e parakohshme lokale në Shkodër. Por që të bëhen zgjedhje të parakohshme vendore duhet një dekret presidenti. PS-ja thotë se nëse del që Valdrin Pjetri ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, atëhere bashkia e Shkodrës do të shkojë në zgjedhje të reja lokale për të zgjedhur kryebashkiakun e ri shkodran dhe se do ti propozojnë një datë, Ilir Metës. Por duhet dekret edhe në këtë rast. Presidenti dhe opozita nuk e njeh 30 qershorin si zgjedhje vendore, pra edhe Valdrin Pjetrin nuk e quan kryebashkiak. Presidenti ka datën 13 tetor si datë zgjedhjesh vendore për gjithë Shqipërinë. Ndaj këtu futemi në një rreth vicioz prej rastit. Deri tani vazhdon insistimi i PS dhe kryeministrit se zgjedhjet janë zhvilluar me datë 30 qershor. Presidenti thotë se nuk e njeh këtë datë dhe këto zgjedhje, por duhet të përgatiten për datën 13 tetor për zgjedhje në Shkodër si dhe në krejt vendin.

Pra në të dyja rastet, Shkodra do mbetet pa kryebashkiak të zgjedhur, sepse Voltana Ademi është në detyrë, pasi nuk njeh zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërsa PS-ja do të kërkojë për zgjedhje të parakohshme në bashkinë Shkodër, për arësyet që paraqitëm.

Gjithsesi një gjë mbetet e qartë në raport me silurat që lëshon kryeministri dhe mazhoranca se do ti drejtohemi presidentit për të caktuar një datë të re zgjedhjesh në Shkodër. Presidenti ka një dekret në fuqi që mbetet 13 tetori. PS-ja nuk e njeh këtë datë. Presidenti nuk do të firmosë asnjë datë tjetër përveç 13 tetorit, veçse nëse pozitë-opozitë ulen dhe bëjnë marrëveshje për një datë tjetër për zgjedhjet vendore, por në gjithë Republikën.

Shkodra, qyteti historik dhe me tradita është futur në një spirale konflikti për fajin e PS-së. Dhe kriza do të ndjehet përditë e me shumë prej kaosit që krijoi kryeministri me kokëfortësinë për zgjedhje me 30 qershor dhe prej emrit që ka propozuar, gjithnjë nëse prokuroria e verteton se ka qenë dënuar dhe që nuk e ka deklaruar sipas ligjit.

Shkodra ka mundësi të jetë fillimi i fundit të kryeministrit Rama, nisur edhe nga rasti i fundit.

Alban Marku