Tkurrja e fuqisë punëtore, ekspertët: Rrezik për ekonominë e vendit

Vala e emigrimit dhe plakja e popullsisë po krijojnë një rrezik të ri për vendin, tkurrjen e fuqisë punëtore. Bizneset kanë filluar të ndjejnë krizën, kryesisht ato në sektorin e bujqësisë dhe fasonerisë, i cili është edhe kontribuesi kryesor i eksporteve. Eksperti për ekonominë, Pano Soko, e cilëson këtë një problem mjaft shqetësues dhe një sfidë serioze për ekonominë e vendit.

“Kemi të bëjmë me të jetuarit, pra me perspektivën e jetës në Shqipëri. Paga është njëri krah, janë shëndetësia, arsimi për fëmijët, siguria, barazia para ligjit që është shumë e rëndësishme”, thotë Soko për ”A2 Cnn”.

Por, si mund të parandalohet ky skenar negativ? “Janë një sërë komponentësh që krijojnë këtë atmosferë që i detyrojnë njerëzit të largohen. Natyrisht që pjesa më e goditur janë industritë fasone, që mbledhin njerëzit më në nevojë. Nëse duam të ndalojmë këtë gjë, duhet të fillojmë të krijojmë shpresën te njerëzit, që njerëzit të mos mendojnë të largohen”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron për një përkeqësim të situatës në 30 vitet e ardhshme, me largimin e mbi 300 mijë shqiptarëve dhe bën apel për reforma urgjente në tregun e punës.