PD proteston në Shkodër: Kundër drogës dhe stop lidhjeve shtet-banda

Siç edhe kishin informuar, dega e Partisë Demokratike në Shkodër po zhvillon një protestë përballë Prefekturës, pas lajmeve lidhur me të shkuarën e Valdrin Pjetrit. Protesta ka nisur në orën 19:30, ku mbështetës të PD-së janë mbledhur përpara prefekturës, teksa në duar mbajnë disa pankarta ku shkruhet “T’i kthejmë rinisë shpresën”, “Stop lidhjes Shtet-Banda”, “Stop blerjes së votës”.

PD-ja nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi publikoi disa dokumente, ku sipas tyre vërtetojnë që Valdrin Pjetri, i dalë fitues në zgjedhjet e 30 qershorit, ka qenë i dënuar me burg në vitin 2003 për drogë.

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion nga pala italiane nëse ndaj Valdrin Pjetrit është kryer ndonjëherë ndalim, arrestim, dënim për trafik narkotikësh apo dëbim nga shteti fqinj.