Ndarja nga jeta e Gjergj Xhuvanit, Rama: S’kam fjalë

Kryeminstri Edi Rama ka shprehur hidhërimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të regjisorit Gjergj Xhuvani. Rama tregon se Xhuvani përfundoi në Romë filmin e tij të ri. Ai shprehet se i është dashur, minuta të tëra të besonte se ishte i vërtetë lajmi i vdekjes së tij.

“O Zot! U deshën minuta të tëra ta besoja se ishte i vërtetë lajmi i humbjes së Gjergjit. Sa shumē gjëra për të thënë e sa pak fjalë mblidhen bashkë në këtë moment. Miku i shtrenjtë dhe i mirë qysh nga kohët më të vjetra, regjizori Gjergj Xhuvani, nuk i çeli më sytë, pasi mbrëmë përfundoi në Romë, filmin e tij të ri”, shkruan Rama.

Gjergj Xhuvani lindi në vitin 1963 në Tiranë dhe në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve, në Tiranë, dega Artet dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.