LSI: Kryeministri Rama nuk u ndahet kriminelëve, nuk rri dot pa ata!

Dje Rama doli hapur kundër Valdrin Pjetrit që u kandidua nga PS për në bashkinë e Shkodrës.

Kryeministri i vënë para faktëve të PD për personin në fjalë, shkroi në rrjetet sociale se “Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual! I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht. E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS”. Pra e shiti mënjëherë kandidatin e tij në Shkodër. Po kështu ka vepruar me ish-deputetë, ish-kryetarë bashkie, ish-zyrtarë të lartë të emëruar prej tij, të cilët dolën me probleme me ligjin e dekriminalizimit.

Valdrin Pjetri ka bërë gabim që ka pranuar kandidimin kur e ka ditur një fakt të tillë. Derisa i ka ndodhur një ngjarje e tillë dhe ligji shqiptar e ndalon një kandidim ai nuk duhej kurrsesi të pranonte, edhe sikur Zoti ta detyronte, por duhej të largohej vullnetarisht nga administrate shtetrore. Dyshimet janë se qeveria e ka ditur këtë fakt, por kanë menduar ta fshehin, me mendimin se nuk do të gërmojë njeri. Por opozita ndaj mbetet rojtare e demokracisë. Faji i Valdrin Pjetrit për këtë mosdeklarim u pagua duke u përjashtuar nga PS-ja dhe nga administrata shtetrore, por ajo që duhet të paguhet PS-ja dhe kryeministri për këto emërime dhe kandidime problematike me ligjin është se duhet të kalojnë në opozitë dhe pushtetin ta marrë partia apo koalicioni që populli është bindur se cili duhet të jetë tashmë në pushtet. Por Edi Rama nuk pranon zgjedhje të parakohshme, nuk pranon zgjedhjet vendore sipas dekretit të presidentit, nuk pranon asgjë. Ndaj PD-LSI dhe partitë e tjera të koalicionit opozitar duhet patjetër në shtator-tetor ta rrëzojnë këtë qeveri të lidhur e të financuar me krimin, siç akuzon përditë kjo opozitë.

LSI tha dje me anë të Kejdi Mehmetaj se kryeministri Rama nuk iu ndahet të inkriminuarëve dhe drogaxhinjve, bile ajo shkoi edhe më tej kur akuzoi. “Gjatë këtij gushti shumë të nxehtë dhe tepër të vështirë qoftë në aspektin social por mbi të gjitha ekonomik, shqiptarët po ndjekin me vëmendje zhvillimet politike. Ndërkohë që të gjithë kërkojnë reflektim e zgjidhje, e kundërta po ndodh e çdo ditë qytetarët ndjejnë të ushtrohet mbi ta presion, arrogancë, kokëfortësi e padrejtësi nga një pushtet që antikushtetueshmërisht po mban peng institucionet tona.

Ndërsa familjet e thjeshta shqiptare shohin se si shteti hidhet kundër tyre me gjoba, taksa e kërcënime, pushtetarët, oligarkët dhe kriminelët shpërblehen me koncesione, PPP dhe ofiqe të larta. Aq i zhytyr është ky pushtet në batakun e korrupsionit e krimit, sa edhe njëherë të vetme që menduan se do e merrnin Shkodrën (pa garë), përfunduan duke dekoruar si kryetar të saj modelin tipik të rilindasit; atë që shpërblehet jo për zotësi por për lidhjet e pashmangshme me krimin (ku duhet theksuar narkotrafiku mbizotëron).

Maska është çjerrë, madje është hequr fare, asnjë lojë marketingu, as gjoja “larja e duarve” me Kryetarin Rilindas të Shkodrës, nuk e shpëton më këtë pushtet dhe Edi Ramën si kreun fuqiplotë të tij”- theksoi ish-deputetja e LSI.

Dhe vertetë maska e kryeministri ka rënë përfundimisht me Shkodrën. Kështu i ndodhi me Kavajën , Krujën, Lezhën, e plot të tjerë e që të gjithë miq tavolinash e darkash. Edhe me Vangjush Dakon, po kështu. Edhe me Sajmir Tahirin.

Siç duket kjo kategori i jep fuqi dhe garanci, kryeministrit!

Ndaj nuk ka më asnjë justifikim për kryeministrin dhe PS-në. Ajo e ka ndyrë veten kaq keq me krimin dhe korrupsionin, sa jo vetëm kalimi në opozitë është një ilaç, por edhe ndëshkimi me burg.

Alban Mati